E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia, avokate e Shqipërisë në proceset e integrimit

22-04-2013 / Gazeta 55

Presidenti Nishani uron presidentin Napolitano për rizgjedhjen president të Italisë

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani uroi Presidentin Giorgio Napolitano me rastin e rizgjedhjes në detyrën e lartë të kreut të shtetit italian.  Në mesazhin e tij, Presidenti Nishani shkruan se “Rizgjedhja juaj në postin e lartë të Presidentit të Republikës Italiane më jep nderin dhe kënaqësinë e veçantë që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju përcjell juve, familjes suaj, si edhe popullit mik italian urimet më të përzemërta, për sa më shumë sukses dhe mbarësi!”. Në mesazhin e tij të urimit, Presidenti Nishani shton ndër të tjera se “Kam bindjen e thellë se vazhdimi i mandatit tuaj si President i vendit është një kurorëzim i punës dhe përpjekjeve tuaja të suksesshme në dobi të popullit mik italian, të paqes dhe sigurisë në rajon dhe më gjerë. Jam i sigurt se kjo rizgjedhje do të influencojë mjaft pozitivisht edhe në përparimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve tona”. Kreu i shtetit shpreh bindjen e tij se miqësia historike, partneriteti dhe bashkëpunimi i frytshëm midis Shqipërisë dhe Italisë do të vazhdojnë të konsolidohen e të zhvillohen më tej, në interes të begatisë së dy popujve tanë dhe të përpjekjeve të Shtetit Shqiptar për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor. Përmes këtij mesazhi urimi, Nishani gjen mundësinë të shpreh mirënjohjen e tij  dhe të gjithë kombit shqiptar, për mbështetjen e vazhdueshme që Italia dhe Presidenti Napoletano i kanë dhënë vendit tonë në përpjekjet për t’u bërë pjesë e familjes euroatlantike, si për anëtarësimin në NATO, ashtu edhe si avokat i vendosur në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›