E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koalicionet si X matematik

Andi Kananaj

Debati mbi numrat në Shqipëri ka filluar të jetë gjithmonë e më tepër pragmatik. Dihet se me koalicion të madh, mbledh brenda vetes çdo numër të mundshëm. Rama në 6 kutitë e fundit, pati 160 vota më pak, numër ky që përputhej me anëtarët e një grupimi/parti në formatin e një Mini-Kuperi. Kjo parti deri më parë kish votuar kundër Berishës, e këtë herë si duket ndërroi mendje. Mirëpo, sikur të mos mjaftonte Hysni Milloshi, njeriu që më këto zgjedhje nxori merakun e të dalurit në TVSH për gjithë jetën e tij. Mëkat naiv nostalgjie ndoshta, por i kuantifikuar, sugjeroi emrin e fituesit. 50 vota janë 100 vota për një drejtues fushate.

Nëse nuk janë të tuat, janë të kundërshtarit, e kësisoj duhet ti marrësh dy herë në konsideratë. Por me pak naivitet kërkojmë të dimë se përse ekzistojnë këto parti në jetën politike të shtetit. Sigurisht të mbledhur për arsye të ndryshme, qëllimi ngelet një i vetëm. Përfitimi i pastër nga ndonjë marrëveshje e mirë e minutit të fundit. Duhen si oksigjeni për të mëdhenjtë e kjo i bën që të jenë të rëndësishëm në këtë lojë pa cak për pushtet. Funksioni pozitiv, ai i krijimit të valvulave të demokracisë nga partitë e vogla, nuk duket se ka qenë ndonjëherë real. Më reale ka qenë mungesa e përgjegjësisë përpara publikut. Një parti e vogël nuk ka tentuar asnjëherë të jetë deçente në menaxhimin e pushtetit. Një parti e vogël në thelb nuk ka krijuar as premisat për të zbutur egërsinë e pushtetit kur ai është paraqitur i egër për qytetarët. Si duket numrat do të jenë më të rëndësishëm se marrja qëndrim ndaj këtij deformimi serioz të parimeve të demokracisë.

Në fund do të vlejnë votat, përfshirë dhe 5 të kushërinjve të largët të cilët nuk i ke takuar kurrë në jetë. Pazari me grupet e vogla do të konsiderohet si ndarje pushteti. Fituesi do të këtë pasur të drejtë ditën më vonë. Në vetminë e tij, kushdo që të jetë kryeministër do ta ndjejë se marrëveshja do të çojë në nivele të reja korrupsionin. Askush nuk do të ndjejë peshën që ai do të ketë përballë publikut, kur të ketë humbur pushtetin. Partitë e vogla do jenë sërish të pastra dhe përballë publikut që nuk mundet ti perceptojë në masën e duhur, e as në nivelin e kërkuar. Ndryshimet e kërkuara në Kodin Elektoral thjesht do çojnë përpara iterin e institucionalizimit të mit-marrjes politike.

Partitë e vogla politike nëse duan të kenë dhe mbështetjen e publikut duhet të ofrojnë programin e tyre, në emër të së ndryshmes që ata përfaqësojnë. Ndryshe nëse partitë që ata kanë do të thirren në emrin e kryetarit (Partia e Mediut, Partia e Gjinushit, Partia e Ndokës) vlera e tyre do të jetë vetëm ajo për të cilën nuk kërkohet më as konfirmim. Do të jenë partitë e drejtorive, ku punësohen vetëm krushqitë e pellazgëve të këtyre 20 viteve të fundit. Debati i numrave vetëm sapo ka filluar, dhe me siguri të vegjlit dhe kushërinjtë e tyre, do ja dalin dhe këtë herë. Në sistemin e pakuptimtë ku jetojmë mesa duket demokracia perëndimore vlen vetëm si maskë për pazare otomane.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›