E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të bëhemi njerëzorë ndaj personave me paaftësi

KOSTA BARJABA

Ditët e fundit duket sikur shoqëria shqiptare ka hyrë në një betejë inatçore të pakuptimtë me personat me aftësi të kufizuara. Në fillim qeveria, duke propozuar një paketë ndryshimesh ligjore që kufizonin të drejtat  e tyre ekonomike e sociale. Pastaj Kuvendi, i cili i miratoi këto ndryshime me forcën e kartonit. Zhgënjimi i fundit erdhi nga Presidenti, ku përfaqësuesit e personave me paaftësi kishin varur tërë shpresat e tyre. Përkundër kërkesës së tyre për ti rikthyer ndryshimet ligjore në Kuvend, Presidenti i dekretoi ato. Miku dhe shoku im i vjetër, Sinan Tafaj, kryetar i Shoqatës së të Verbërve, ishte shumë i trishtuar kur më dha këtë lajm. I kemi të gjithë kundër, tha i pezmatuar. Tashmë, e vetmja shpresë e tyre, nga pjesët e shtetit, mbetet opozita, e cila i kundërshtoi fort këto ndryshime. Madje, i bëri thirrje Presidentit të mos i dekretonte ato. Por bashkë me opozitën, personat me aftësi të kufizuara kanë me vete pjesën më të madhe të shqiptarëve, të cilët, ndryshe nga qeveria dhe institucionet e shtetit, nuk i konsiderojnë ata një barrë, por pjesë e diversitetit të shoqërisë.
1. Loja dhe tallja meskine e cinike me personat me aftësi të kufizuara nxori në dritë një tjetër dallim të spikatur të qeverisjes nga qytetarët. Asnjë shqiptar, në vetvete, nuk do të ishte dakord me një vendim, ligj apo dekret, i cili kufizon të drejtat e personave më nevojtarë dhe më të vuajtur të shoqërisë. Atyre, që përveç prapësive të qeverisë, vuajnë edhe pasojat e natyrës, aksidenteve apo fatit të keq. Por ja që  shteti, me forcën e kartonit ndaj pakicës dhe logjikën e të fortit ndaj të dobëtëve, u imponua. Duke kryer një atentat ndaj disa vlerave themelore të shqiptarëve, sidomos solidaritetit njerëzor. Po nga vjen ky dallim? Ky vjen thjesht nga prapambetja e mentalitetit qeverisës ndaj atij qytetar. Qeveria i konsideron njerëzit me aftësi të kufizuara një barrë për shoqërinë. Në shoqëri të caktuara dhe faza të caktuara të zhvillimit shoqëror ka pasur raste që ata janë trajtuar të tillë. Por, shoqëria moderne bashkëkohore e ka lënë pas këtë mentalitet. Kur vjen puna, qeveria mburret me milionat që ka alokuar për shërbimet ndaj personave me aftësi të kufizuara. Por këto miliona nuk mund të mbulojnë mentalitetin diskriminues ndaj tyre, i cili shfaqet sa herë gjen rastin. Një rast i tillë ishte miratimi i paketës ligjore që u kufizoi atyre të drejtat që gëzonin. Një rast tjetër është heqja nga programi i ndihmës ekonomike për shkak të përfitimeve të paaftësisë. Por, siç e shpjegojnë vetë personat me aftësi të kufizuara, përfitimi i parë është kompensim për shkallën e paaftësisë. Për ti ofruar disi me të tjerët. Ndërsa pagesa e ndihmës ekonomike është një ndihmë modeste për ti ndihmuar të përballojnë varfërinë. Këto dy përfitime nuk duhet të përjashtojnë, por plotësojnë njëra-tjetrën. Por, në tavolinën e zyrtarëve nuk është kështu. Hyrja në llogaritje të kësaj natyre është një tjetër pamje e konsiderimit të tyre një barrë për shoqërinë.
2. Mendësia se personat me aftësi të kufizuara janë një barrë, lidhet me një rrethanë ose mendësi tjetër: ata konsiderohen një pjesë e huaj për shoqërinë. Janë dikush tjetër, një grup tjetër, një komunitet tjetër, jo vetëm i ndryshëm, por edhe i jashtëm për ne të tjerët. Historia njerëzore, madje jo shumë e largët, është e mbushur me raste kur kjo mendësi, e ngritur në sistem politik dhe qeverisës, ka prodhuar monstruozitete dhe kasaphana shoqërore. Miku im, Sinan Tafaj dhe unë kemi qenë bashkëstudentë. Sinani u bë miku i të gjithë kursit tonë edhe për shkak të miqësisë me Kristaqin, shokun tonë të kursit, i verbër edhe ai. Askush nuk na detyroi ne të ndërtonim të gjithë bashkë një shërbim katërvjeçar permanent në ndihmë të Sinanit dhe Kristaqit. As njeri dhe as tjetri nuk e ndjenë vetminë dhe diferencën që kishin me pjesën tjetër të fakultetit. Sipas një grafiku të pashkruar, por të ngulitur në zemrat e të gjithë shoqeve dhe shokëve tanë, ata ishin në çdo kohë në shoqërinë e njërit ose njërës prej nesh. Nuk kishin kujdestarë, as formalë dhe as informalë, të paguar nga ndonjë institucion apo shërbim social. Të tillë ishim të gjithë ne. Sot duket se një pjesë e këtyre vlerave kanë humbur. Por, në fakt, vlerat kanë humbur ndër qeverisësit, jo ndër qytetarët, të cilët, në fakt, ndajnë vështirësitë e jetës me personat me aftësi të kufizuara. Sot në Shqipëri janë rreth 140 mijë persona me paaftësi. Duke pasur parasysh se vendi ka rreth 740 mijë familje, i bie që një në rreth pesë familje të ketë një person të tillë. Kjo do të thotë që pothuajse të gjitha familjet shqiptare janë në kontakt me personat me aftësi të kufizuara, në forma të ndryshme. Si mund të konsiderohen ata të jashtëm dhe të huaj për shoqërinë, kur janë, në fakt, pjesë integrale e saj?
3. Me Sinan Tafajn dhe Abdulla Omurin më ka lidhur shpesh puna gjatë 15 vjetëve të fundit. Sinani, siç përmenda, është kryetar i Shoqatës së të Verbërve, jurist dhe avokat i njohur ndërkombëtarisht. Tjetri, Abdullai, është kryetar i Shoqatës së Invalidëve të Punës. I respektuar sa brenda vendit, ashtu edhe midis kolegëve të tij europianë. As njeri dhe as tjetri nuk janë socialistë. (Nuk e di nëse janë demokratë). Por kjo nuk ka rëndësi. Rëndësi ka fakti që programi social i PS ka konverguar me vizionin dhe përpjekjet e tyre shumëvjeçare. Në tryezën e programit për çështjet sociale ata erdhën si oponentë dhe paraqitën publikisht një paketë ligjore që sintetizonte aspiratat e komuniteteve që përfaqësojnë. Përmbajtja e kësaj pakete nisej nga tri perspektiva: i) personat me aftësi të kufizuara nuk janë barrë për shoqërinë, por pjesë e saj; ii) personat me aftësi të kufizuara nuk janë të huaj, por anëtarë të saj me aftësi të pabarabarta, por që duhet të gëzojnë të drejta të barabarta; iii) problemet e tyre nuk mund të zgjidhen vetëm në formë pagesash e shërbimesh, por nëpërmjet aksesit në tregun e punës, nëpërmjet formash e mekanizmash të propozuara prej vetë atyre. Aktualisht, niveli i sh¸rbimeve p¸r t¸ verbrit ¸sht¸ mjaft i ul¸t. Ata jan¸ t¸ p¸rjashtuar nga aksesi n¸ informacion, autonomia n¸ l¸vizje, formimi profesional, pun¸simi dhe integrimi shoq¸ror. Me paketën ligjore që propozuan, ata kërkojnë nj¸ mund¸si p¸r tu vet¸pun¸suar dhe vet¸sh¸rbyer, mbi bazën e lejeve përkatëse p¸r organizimin e veprimtarive vetëpunësuese dhe reduktimit të detyrimeve fiskale. Të bindur për arsyen dhe nevojat e tyre, socialistët do ti përcjellin këto propozime në Kuvend.
4. Vizioni i programit socialist për personat me aftësi të kufizuara përfshin edhe një perspektivë që vetë ata u rezervuan ta parashtrojnë në propozimet e tyre. Nuk mjafton qe ne, të tjerët, të hartojmë politika për ta.  Nuk mjafton që ne, të tjerët, të hartojmë politika me ta. Në një shoqëri të drejtësisë sociale, personat me paaftësi fizike, përveçse si partnerë apo grupe interesi, mund të hartojnë politika edhe të një spektri më të gjerë. Mund të shërbejnë, madje, edhe si drejtues të institucioneve apo shërbimeve sociale. Jo mund, por duhet.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›