Për një panteon pa hierarki (të njëanshme)
Sot, pas 100 vitesh shtet, duket se kemi vështirësi të mëdha për të gjetur qëndrime të përbashkëta për të ardhmen. Nëse disa prej emrave më të rëndësishëm të së sotmes na përçajnë, në njëfarë mënyre kjo edhe mund të kuptohet, ose të paktën të shpjegohet.
Por kur as emrat e së shkuarës nuk na bashkojnë, kjo as mund të kuptohet, por as mund të pranohet. Mbase edhe për shkak të një mentaliteti përjashtues, klasifikues dhe diskriminues, të cilin e perfeksionoi komunizmi përmes luftës brutale të klasave dhe emulacionit banal socialist, ende është prezente tendenca për të përjashtuar nga historia personalitete shumë të rëndësishme.
Varfërimi i Panteonit, përmes seleksionimit dhe diskriminimit, përmes përjashtimit prej tij të disa ikonave kombëtare, jo vetëm që i bën dëm të madh historisë, por ndoshta më shumë i bën dëm së ardhmes.
Qeveria shqiptare, për të festuar me solemnitet 100 vjetorin e Pavarësisë, ka ngritur një komision shtetëror. Janë shpallur një sërë iniciativash përkujtuese. Përtej retorikës dhe borive festive, ajo çka do të mbetet si shenjë e këtij viti kulmor do të jenë katër monumente. Një monument kryesor që bart simboliken e këtij shekulli shtet shqiptar si dhe tre të tjerë, përkatësisht të Ismail Qemalit, Ahmet Zogut dhe Hasan Prishtinës. Përzgjedhja flet vetë për një preferencë hierarkike.
Tri personalitetet e përzgjedhura janë themelore për historinë e shqiptarëve. Ndaj Ahmet Zogut ekziston një detyrim moral i pashlyer. Qysh prej vitit 1939, në fillim pushtuesit, më pas shqiptarët, ndaj tij kanë hedhur vrer, baltë, libra e karikatura, filma të pështirë propagande dhe e kemi quajtur satrap, ndonëse Zogu ishte konsoliduesi real i Pavarësisë dhe shtetit shqiptar. Shpresojmë që vërtet ti bëhet një monument i denjë, siç i kanë të gjithë mbretërit kudo në Europë.
Fatmirësisht, diktatura nuk provoi ta fshinte nga historia Ismail Qemalin dhe të paktën për të ska nevojë për rehabilitim, por vetëm për ta nderuar siç i ka hije. Hasan Prishtina ishte ai tip patrioti që prishi gjithë pasurinë e madhe në emër të patriotizmit si dhe jetën për vizionin e tij për shtetin. Regjimi e rindërtoi figurën e tij në funksion të kundërshtisë ideologjike ndaj Ahmet Zogut, duke relativizuar aktivitetin e tij kryesor.
Ekziston një bindje që njëqindvjetori i Pavarësisë duhet të shprehë unitetin kombëtar, krahinor, fetar, gjuhësor e politik të shqiptarëve, magjinë e mbijetesës dhe bashkëjetesës, fuqinë e tyre të përbashkët si dhe identitetin e tij europian. Ky unitet, vetëm duke përzgjedhur politikisht personalitetet e mësipërme, vlera e të cilëve nuk vihet në diskutim, në këtë mënyrë vjen i paplotë. Ne kështu i përcjellim së ardhmes një histori të reduktuar sipas emocioneve të çastit kur sot në Shqipëri gjithkush e di se sidomos Pavarësia ishte një proces me shumë personazhe, ndër to disa të padevijueshëm nga kujtesa.
Virtualisht, komisioni i festës po ndërton një panteon. Një i tillë, pa Luigj Gurakuqin, autorin e Deklaratës së Pavarësisë, Shqipnia me sot do të bëhet më vehte e lirë, e mosvarme, do të ishte i gjymtuar. Kush ishte Luigj Gurakuqi, ngjan mujshare dhe fyerje për diturinë e çdo nxënësi shkolle po të mbushim listën e shërbimeve që ai kreu ndaj Shqipërisë, ndonëse edhe ndaj tij regjimi ndoqi të njëjtën sjellje si me Prishtinën. Thjesht po rikujtojmë se si e vlerësonin Gurakuqin At Anton Harapi dhe Stavri Vinjau. Thoshte Harapi: Burrit tvërtetë burrë, Luigj Gurakuqit, i cili me kulturën e naltë shpirtnore, mishnoi, madhnoi, përjetoi urtinë, besë e burrni shqiptare, tue mbetë përherë shembull shqiptari me kulturë, symbol i bashkimit kombtar, idealist i shkëlqyeshëm në vorfni, ia priste Vinjau: Gurakuqi është shqiptari i vetëm që mundet të kontrollojë dhe japë kredenciale patriotizmi.
Pa Dedë Gjo Lulin, prijësin e kryengritjeve të Malësisë së Madhe, ku për herë të parë shfaqet programi për autonominë dhe pavarësinë e Shqipërisë, pa ngritësin e parë të flamurit, në vitin 1911, në Bratilë të Deçiçit, Panteoni përsëri është i gjymtuar. Dedë Gjo Luli pa herët nga Europa me instinktin e identitetit kur i vuri pushkën osmanllisë dhe gazetat e Europës e konsideruan si tribun të lirisë e pasardhës të Skënderbeut.
Fishta, në përvjetorin e trembëdhjetë të vrasjes së tij, shprehej se Dedë Gjo Luli, që vu sy me dekë a shqiptar i lirë me mbetë, me ata kreshnikë petrita të Maleve të Medhaja, – burra si motit veç që i bante lokja shqiptare, – bjen në mal e mbi kaki të Deçiçit ngulë Flamurin e Shqipnisë kuq e zi: zjarm e dekë-nji be aj rreh, nji be të madhe, po, rreh aj në sy të qiellës e të dheut, se rob shqiptari për nën thembër mizore të turkut ma kurr, jo, kurr ma nuk do të gjimonte, e as nën thembër të atij sllavi të mniershëm. Mat be të shugurueme ngeli në habi Europa; Cetina u trand e u dynd tanë pezm e mni Stambolla. Para se flie vehten për Atdhe të bante malsori, na atdhe skem pasë, e rob kem kenë, e rajë, e skllav e kurrgja tjetër.
Shkrimtari rilindës, Ndoc Nikaj, gjithashtu te Shkodra e rrethueme, nuk i kursen ma të mëdhatë lavde kryetrimit të Traboinit. Miss Edith Durham, në veprën e saj The struggle for Scutari dhe Eugenio Vaina në Albania che nasce, shkruanin nxehtësisht për kryengritjen dhe heroin e saj, Dedë Gjo Luli. Ndoshta pak shqiptarë e dinë që edhe Kral Nikolla, Mbreti i Malit të Zi, aspak mik i shqiptarëve, ndonëse i sheh ngjarjet në këndvështrimin e tij, në një poemë lëvdon trimërinë e malësorëve dhe shtrëngohet të pohojë se kryengritësit e Dedë Gjo Lulit frymëzohen nga një synim lirie, siç rrëfen Koliqi.
Nëse pranojmë që Shqipërinë më parë e bënë poetët, atëherë duhet të kujtohemi për tre poetët kombëtarë, De Rada, Naimi dhe Fishta. Baras me ta rri edhe më europianisti punëtor i Rilindjes, Faik Konica, apo edhe Asdreni, i cili na dha Himnin Kombëtar.
A do të ishte e mundur Pavarësia pa Dom Nikollë Kaçorrin, Aqif Biçakciun, Preng Bibë Dodën (i cili citohet në pothuaj 200 libra që të huajt kanë shkruar për vendin tonë, shfaqet si personazh referencial), Abat Preng Doçin, Pandeli Calën, Mithat Frashërin, Mustafa Krujën, Mehdi Frashërin, Syrja dhe Eqerem bej Vlorën etj., personalitete në krah të Ismail Qemalit, të këtij qafiri të Perandorisë Osmane? sigurisht -jo!
Shteti i sotëm shqiptar, një shenjë mirënjohje duhet ta tregojë edhe ndaj Princ Vidit, për të cilin Fan Noli (edhe ky një tjetër personalitet i këtij vendi që ka vozitur për Pavarësinë e Shqipërisë), pati thënë se mund të akuzohet vetëm se nuk mundi të bënte mrekullinë. Me Vidin, Fuqitë e Mëdha e konkretizuan njohjen e Pavarësisë edhe de jure. Duke nderuar Vidin, nderojmë shtetformimin tonë europian dhe ndahemi qartë nga haxhiqamilizmi, ndërsa duke heshtur për Vidin i japim këtij yrrneku që këndonte në det e hodhëm Europën, një shans rehabilitimi si mendësi.
Kriteri ideologjik e ka përçudnuar panteonin shqiptar dhe manipuluar atë, ndaj rindërtimi i tij kërkon ndershmëri, kritere të qarta e të argumentuara, si dhe përfaqësim real kontributesh. Në sheshet kryesore të vendit dominojnë ende shtatore dhe statuja që shprehin vetëm vizionin e komunizmit për historinë.
Zgjidhja më përfaqësuese për këtë nevojë që shfaq kujtesa jonë historike do të ishte një park monumental i tipit Vila Borghese, si ai në Romë apo vende të tjera, dhe këtë funksion më së miri mund ta kryenin një pjesë e kodrave të Liqenit në Tiranë. Kështu, historia komunikon me njerëzit e sotshëm duke ofruar konkretësinë e saj simbolike.
Nji popull që nderon burrat e vet, jo vetëm ndër faqet e historisë, por edhe mbi rrasa e në monumenta, ai popull tregon se ka ndërgjegje, se ka ndjesi të holla, se njef miradijen e ka dëshirë me u sjellun e me u drejtuem mbas shembullit të të Mëdhajvet të vet. Këto janë fjalë
