Koalicioni PS-LSI është gatuar në kuzhinën e Berishës

Një nga personalitetet e njohura në PS, Sabit Brokaj, pjesë e këshillit politik që këshillon kryesocialistin, e cilëson koalicionin PS-LSI një lëvizje makiaveliste. Duke e parë situatën e krijuar në zemër të saj, kardiologu i njohur shprehet se me këtë qëndrim jo transparent Rama e ka futur veten dhe PS-në në shteg të minuar.
Madje, në një intervistë për gazetën Panorama, Brokaj thotë se momenti i gjetur nga Rama për të kërkuar bashkëpunim me Metën ishte një kurth për anëtarët e Kryesisë dhe deputetët e PS, për shkak të kohës kur bëhet lista e deputetëve.
“Programi i PS, që së fundi u bë i majtë, është kritikuar rreptësisht deri javën e fundit nga Meta - taksa progresive apo edhe shëndeti falas për të gjithë është cilësuar populizëm. Pra pikat kardinale që përfaqësonin karakterin e majtë të PS u kritikuan dhe u hodhën poshtë nga LSI deri javën e fundit...Këto zgjidhje brenda natës, natyrisht që nuk kanë strategji dhe, ç’është e vërteta, dhe të bëra pa transparencë, të lënë të mendosh për qëllime të mira. Nëse duam ta shohim nga ana pozitive, mund të them se nëse ikën Berisha, përbën një fitore të këtij koalicioni. Por jo patjetër ikën Berisha. U tha që Meta do sjellë një qeveri teknike. Absolutisht Meta është në marrëveshje me Berishën. Ky proces që Rama e quan sukses, është i gatuar në kuzhinën e Berishës. Berisha nuk humbi asgjë, bile me Metën në koalicion ajo do ta kishte më të vështirë në zgjedhje.
PS e humbi kauzën e saj, që ishte programi. Ka mbetur një kauzë: të ikë Berisha. Kjo ka qenë dhe do të jetë. Për mua kjo lëvizje është makiaveliste në demokraci, dhe në këtë pikë mjeshtër është Saliu, as Ilir dhe as Edi. Kush thotë se Meta nuk mund të lëvizë pas zgjedhjeve drejt Berishës, gjithnjë për interesat e vendit?! Ka dhe një tjetër, për mendimin tim, situatë të vështirë. Objektivisht qeverisja e re do të ndeshë në vështirësi të mëdha për shkak të ekonomisë që është në humnerë. As PS dhe as LSI bashkë apo veçmas nuk e nxjerrin nga humnera kaq shpejt, dhe për këtë kërkohet kohë. Koha fitohet me besim, në kuptimin e reformës politiko-juridiko dhe administrative”, tha pos tjerash në një internistë të gjatë Sabit Brokaj./Indeksonline/