Policia dhe Gjykatat, pengesa kryesore të marrëveshjes

Pas raundit të tetë të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që rezultoi me dështimin e arritjes së pajtimit për zgjidhjen e çështjes së veriut dhe normalizimit të raporteve mes “dy palëve“ (siç thonë në BE për të mos përmendur termin “dy shteteve”) në Bruksel dhe disa kryeqytete evropiane ende mbesin me shpresë se Serbia deri të hënën apo të martën do të dërgojë më në fund një porosi pozitive se edhe ajo është e gatshme të pranojë variantin e fundit të një varg propozimeve që kanë dalë në procesin e dialogut për arritjen e marrëveshjes.
Ndonëse në BE publikisht nuk duan ende të tregojnë se cila palë e pranoi e cila jo propozimin e marrëveshjes, diplomatët privatisht kanë pranuar se ishte pala serbe ajo që refuzoi kompromisin pas 14 orë bisedimesh në formate të ndryshme në Bruksel, të martën e shkuar. Por të njëjtat burime theksojnë se nuk pajtohen me deklaratat paksa patetike që dëgjohen në Beograd se kinse “të gjithë janë në anën e Prishtinës”, shkruan Koha ditore
“Nuk është BE-ja në anën e Prishtinës apo të Beogradit, BE-ja vetëm i lehtëson palët që të arrijnë marrëveshje. Por duhet pranuar se Prishtina ka qenë shumë më e gatshme për kompromise sesa Beogradi. As për kryeministrin Thaçi nuk është lehtë që të pajtohet me propozimet në tryezë”, ka thënë një diplomat evropian.
Edhe pse ende nuk nxjerrin detaje rreth asaj se çfarë është në propozimin që u refuzua nga Beogradi, diplomatët evropianë pohojnë se problem kryesor është çështja e policisë dhe e gjykatave në veri të Kosovës. /Indeksonline/