E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshja bosnjëzon Kosovën

Glauk Konjufca, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje!,
e ka vlerësuar shumë të rrezikshme mundësinë e arritjes së marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Konjufca ka vlerësuar se Kosova mund të shkojë drejt bosnjëzimit dhe autonomisë për veriun në rast se në Bruksel arrihet marrëveshja për krijimin e këtij asociacioni. “Mendoj se po hapet rruga për një gjë të tillë. Nuk është tamam si në Bosnjë, mirëpo është rrugë e cila dërgon drejt bosnjëzimit të Kosovës”, është shprehur Konjufca.

Në këtë kontekst, Konjufca ka thënë se procesi i dialogut nuk ka prodhuar asgjë të mirë për shtetin e Kosovës. “Dialogu nuk ka prodhuar asgjë të mirë për Kosovën. Ky dialog nuk ia ka forcuar sovranitetin Kosovës. Në aspektin e integrimeve evropiane asgjë nuk kemi fituar. Çdo zyrtar i BE-së që vjen në Kosovë deklaron se integrimet varen nga sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit, respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut e të cilat, sipas mendimit tim, janë joekzistente. Ju e keni parë që edhe procesi i liberalizimit të vizave është i ndarë nga procesi i dialogut me Serbinë dhe integrimet evropiane”, ka thënë Konjufca.

Duke iu referuar deklaratave të fundit të zyrtarëve serbë, Konjufca ka thënë se Serbia vazhdimisht është dike e luajtur rolin e së pakënaqurës. “Në dekadat e fundit Serbia gjithmonë e ka luajtur rolin e së pakënaqurës, ndërkaq Kosova gjithmonë është kënaqur me atë që është arritur. Ky proces mund të duket si fitore për Kosovën, por kjo logjikë gjithmonë na ka mbajtur në negociata”, është shprehur Konjufca. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›