E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koalicioni, VMRO-DPMNE dhe BDI, do qeverisin në Maqedoni për 4 vjeçarin e ardhshëm

07-06-2011 / Gazeta 55

Në zgjedhjet e parakohshme për parlamentin e Maqedonisë, partitë shqiptare duke dalë para elektoratit të përcara kanë humbur 5 mandate deputetësh në krahasim me zgjedhjet e 2008-ës


SHBA: Emri, reformat dhe Marrëveshja e Ohrit janë detyrat e Qeverisë së re


Analistët: Pjesëmarrja e dobët uli mandatet shqiptare


Me mbylljen e procesit të zgjedhjeve në Maqedoni, del në dritë edhe koalicioni që do qeverisë vendin. Rikonfirmimi i VMRO-DPMNE dhe BDI, si partitë politike më të votuara duke siguruar së bashku në parlament 68 deputetë, pritet që të sjellë edhe konfigurimin e koalicionit qeveritar mes këtyre forcave politike. Karakteristikë kryesore e zgjedhjeve në Maqedoni, është se partitë shqiptare kanë humbur 5 mandate deputetësh për shkak të jehonës së vogël të votuesve shqiptarë dhe listave të shumta me të cilat kandiduan partitë shqiptare. Kjo “përcarje” në elektoral solli rrjedhjen e votave mes 7 partive shqiptare, të cilat mirëfilltazi kanë shpërdoruar më shumë se 25% të elektoratit shqiptar, duke e lënë atë të paërfaqësuar në Parlament. BDI e Ali Ahmetit ka siguruar 15 deputetë në Kuvendin e Maqedonisë, PDSH e Menduh Thacit 8 deputetë dhe RDK e Rufi Osmanit që arriti të merrte 2 deputetë.


Analistët: Pjesëmarrja e dobët uli mandatet shqiptare


Maqedonia të dielën ka dëshmuar se di dhe mund të organizojë zgjedhje të lira dhe demokratike, sipas standardeve të kërkuara ndërkombëtare, nëse për këtë angazhohen të gjithë faktorët relevantë në vend. Elitat politike, sipas analistit Mahi Nesimi, janë treguar më të ndërgjegjshme, por, nga ana tjetër, edhe pushteti, siç shprehet ai, ka qenë i interesuar që të mos lejojë incidente dhe prishje të imazhit - edhe ashtu jo të mirë të Maqedonisë në skenën ndërkombëtare. “Kjo është një punë e mirë sa i përket rregullshmërisë së zgjedhjeve. Ato u zhvilluan në mënyrë të qetë, pa incidente dhe në mënyrë demokratike. Njerëzit votuan ashtu siç menduan të votojnë dhe kjo është një fitore e madhe edhe për shqiptarët, edhe për Maqedoninë, pasi edhe në pjesën tjetër, pra te maqedonasit, nuk u vërejtën shkelje të mëdha të procesit zgjedhor ”, thotë Nesimi. Sa i përket uljes së numrit të mandateve të deputetëve shqiptarë, Nesimi thotë se kjo ka ndodhur në radhë të parë për shkak të pjesëmarrjes në zgjedhje të më shumë partive shqiptare, por edhe faktit të daljes së shqiptarëve në numër të vogël në votime në raport me votuesit maqedonas. Nga këto zgjedhje pritej që shqiptarët të arrinin të zgjedhin të paktën 30 deputetë, por numri i tyre doli 24, që është më i ulët se në zgjedhjet e fundit. Po, çfarë duhet të bëjnë partitë politike shqiptare që të mos ndodhin situata të tilla? “Së pari duhet të vetëdijesohen që njëherë e përgjithmonë ta mësojnë elektoratin shqiptar, respektivisht ta bindin se duhet të dalë në zgjedhje. Ne skajshmërisht kemi përqindje të vogël të daljes në zgjedhje. E dyta është se vetë gara me katër subjekte politike të fuqishme ishte një paralajmërim ndjellakeq se në njësinë e parë, të dytë dhe të tretë, mund të humben vende të deputetëve shqiptarë”- shprehet analisti Mahi Nesimi.


SHBA: Emri, reformat dhe Marrëveshja e Ohrit janë detyrat e Qeverisë së re


Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit për Evropë dhe Euroazi, Tomas Kantrimen ka deklaruar se detyrat kryesore që janë para Qeverisë së ardhshme në Maqedoni janë mbyllja e kontestit të emrit, reformat për anëtarësim në BE si dhe zbatimi i mëtejm i Marrëveshjes së Ohrit. Zyrtari i lartë amerikan shtoi se prioritet i Qeverisë së ardhshme duhet të jetë ballafaqimi me këto çështje, kështu që siç tha ai zgjedhjet e ardhshme mund të jenë edhe më të mira. “Besoj absolutisht se kjo është koha e duhur, dhe se menjëherë pas formimit të Qeverisë së re, të rrumbullakësohet diskutimi me Greqinë për emrin. Me padurim presim që kjo të zgjidhet, me qëllim që Maqedonia të vazhdoj rrugën drejt NATO-s dhe BE-së. Qeveria duhet të përkushtohet edhe rreth punëve për sundimin e së drejtës, gjyqësorit të pavarur dhe lirisë së mediave.Këto janë çështje kyçe në rast se Maqedonia dëshiron të plotësojë standardet e BE-së”- deklaroi Kantrimen. Lidhur me Marrëveshjen e Ohrit dhe shënimin e dhjet vjetorit të saj, Kantrimen deklaroi se duhet zbatimi serioz dhe i vendosur i përcaktimeve dhe detyrimeve që dalin nga kjo marrëveshje, me qëllim që siç tha ai të krijohet një ndjenjë që të gjithë qytetarët e Maqedonisë të ndjehen pjesë e këtij vendi, pavarësisht përkatësisë etnike. Sipas tij, cilësia e këtyre zgjedhjeve ka qenë e paparë, ndërsa ishin gjithashtu edhe kompetitive, transparente, mirë të organizuara, ku qytetarët kanë dalur në numër të madh dhe janë sjellë me mirëkuptim dhe dinjitet. Por, Kantrimen shtoi se OSBE/ODIHR ka identifikuar disa probleme të caktuara. Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Tomas Kantrimen theksoi se mbetet si prioritet edhe më tej përcaktimi i SHBA-ve për integrimin e plotë të rajonit në BE dhe NATO.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›