E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koalicioni i ardhshëm PDK - AAK

Njohësi i rrethanave politike në vend, Behxhet Shala, ka thënë se koalicioni i ardhshëm do të jetë ndërmjet PDK-së dhe AAK-së. Ai ka thënë se si shenjë në drejtim të koalicionit PDK - AAK mund të shihet pajtimi i partive politike që presidenti të zgjedhet nga Kuvendi. Ndërsa njohësi tjetër i rrethanave politike, Ardian Arifaj, ka thënë se nuk ka ndonjë indikacion që shtyn për të besuar në arritjen e një koalicioni të ardhshëm ndërmjet PDK-së dhe AAK-së.

“Mendoj se në nivelin qendror koalicioni i ardhshëm do të jetë ndërmjet PDK-së dhe AAK-së. Koalicionit PDK - AAK s’mund t’i paraprijë arritja e koalicionit ndërmjet AAK-së e LDD-së”, ka thënë për “Epokën e re” Shala. Ai ka bërë me dije se shenjë në drejtim të koalicionit PDK-AAK mund të shihet pajtimi i partive politike që presidenti të mos zgjedhet nga qytetarët, por nga Kuvendi.

“Asnjë kandidat nuk ka pasur guxim të dalë para qytetarëve dhe të garojë për president. Prandaj e kanë gjetur mënyrën më të mirë që nëpërmjet Kuvendit mund të bëhen kombinime dhe manipulime të ndryshme politike. Kjo u ka përshtatur edhe partive politike, por edhe ndërkombëtarëve në fazën e tranzicionit”, ka thënë Shala, duke shtuar se skena politike në të ardhmen mund të këtë dizajn të ri.

I pyetur se koalicioni i LDD-së me AAK-në do ta dëmtojë LDK-në, Shala ka thënë se assesi nuk do ta dëmtojë LDK-në, e cila, sipas tij, nëse ndryshon qasjen dhe u jep hapësirë të rinjve, do ta rritë përqindjen e votave. Ai ka thënë se LDK-ja duhet të bëjë një transformim të brendshëm për të ecur përpara, në të kundërtën është në rrezik.

Për një koalicion të mundshëm në mes të PDK-së dhe AAK-së, pas shkuarjes edhe të Dacit në partinë e Haradinajt, ka dhënë vlerësime edhe analisti Ardian Arifaj. “Koalicionet tek ne janë krijuar në bazë të interesave të ditës, e jo në bazë të ndonjë bashkëpunimi apo afrimi në program dhe vizion për zhvillimin e Kosovës. Janë ato interesat e ngushta partiake që i dirigjojnë koalicionet. Prandaj, duke pasur parasysh gjendjen e partive politike, çdo koalicion është i mundshëm dhe nuk na habit”, ka thënë Arifaj për “Epokën e re”.

Sipas tij, aktualisht s’ka ndonjë indikacion që shtyn për të besuar në arritjen e koalicionit të ardhshëm ndërmjet PDK-së e AAK-së. “AAK-ja e PDK-ja nuk janë më afër sesa që kanë qenë para një viti, por e tërë puna për koalicionin PDK - AKK ka qenë më shumë zhurmë mediale sesa diçka e vërtetë. Duke vlerësuar deklaratat e liderëve të PDK-së e AAK-së nuk shohim asnjë arsye të besojmë se këto dy parti janë afër për ndonjë koalicion”, ka thënë Arifaj, as edhe duke ndërruar pozicionet Thaçi me Haradinajn. “Nuk shoh ende që kryeministri aktual Hashim Thaçi me popullaritetin politik që e ka në Kosovë është i gatshëm të heqë dorë nga pushteti si kryeministër dhe të pranojë një post ceremonial siç është posti i presidentit”, ka deklaruar Arifaj.

Për Arifajn as koalicioni AAK - LDD nuk është befasues pasi partitë në Kosovë nuk janë të profilizuara dhe veprojnë në bazë të interesave të shkurta. “Për LDD-në një koalicion i tillë është i nevojshëm, në anën tjetër AAK-ja gjithmonë është duke kërkuar të zgjerohet dhe të fitojë sa më shumë votues, qoftë votues të vjetër apo të ri”, ka thënë Arifaj, duke shtuar se arritja e koalicionit AAK - LDD nuk do ta dëmtojë LDK-në. “LDD-ja e ka humbur votuesin e vet, prandaj koalicioni AAK - LDD s’mund të ndikojë apo ta dëmtojë LDK-në”, ka thënë Arifaj. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›