E Diel, 1 Nëntor 2026

PDK-ja po fuqizohet edhe në Graçanicë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për herë të parë është organizuar si degë në komunën e Graçanicës dhe po e vazhdon veprimtarinë në këtë komunë me qëllim që në zgjedhjet e ardhshme lokale të jetë në strukturat udhëheqëse të kësaj komune për t’i mbrojtur interesat e qytetarëve të kësaj komune në përgjithësi, e interesat e shqiptarëve në veçanti.
Kështu ka thënë për “Epokën e re”, Arton Smaili, sekretar i Degës së PDK-së në Graçanicë.

Smaili, i cili është në përfundim të studimeve të magjistraturës në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka treguar se Dega e PDK-së në Graçanicë ka mbajtur kuvendin zgjedhor më 7 dhjetor të vitit të kaluar, në të cilin i pranishëm ka qenë dhe koordinatori për zgjedhje, Basri Musmurati.

“Në këtë kuvend në të njëjtën ditë janë zgjedhur të gjitha organet drejtuese, e prej atij çasti kemi filluar punën në terren. Falë kësaj pune intensive kemi pasur shumë suksese. Në degën tonë ka aderuar komplet struktura e AKR-së dhe e VV-së si dhe shumë anëtarë që deri dje ishin votues të LDK-së dhe të LDD-së. Ky fakt, por dhe fakti tjetër se jemi një strukturë shumë e përgatitur, në degën tonë kemi magjistra të lëmenjve të ndryshëm, juristë, inxhinierë, biologë, mjekë etj., na bëjnë të besojmë se do të jemi partia e parë shqiptare në këtë komunë”, ka shfaqur shpresën Smaili.

Në vazhdim ai ka folur edhe për gjendjen në komunën e Graçanicës, konkretisht për punët që janë bërë në këtë komunë deri më tash. Smaili ka thënë se në komunën e Graçanicës është punuar shumë pak.

“Apo më mirë të them nuk është punuar fare. Kemi probleme të shumta në infrastrukturë, në arsim e shumë e shumë probleme të tjera, mirëpo po e përmendi vetëm një problem, i cili është shqetësues, është fjala për shkollën fillore në fshatin Kishnicë, në të cilën ndjekin mësimin edhe nxënësit e fshatit Shushicë dhe të fshatit Shashkovc, por e cila shkollë vetëm sa nuk është rrënuar. Me të vërtetë nuk i plotëson as kushtet minimale për mësim. Lidhur me këtë problem e kemi pasur edhe një takim me ministrin e MASHT-it, z. Ramë Buja, i cili na ka premtuar se shumë shpejt do të gjejë një zgjidhje, mirëpo si duket problemi qëndron në komunën e Graçanicës”, është shprehur Smaili.

Duke u nisur nga ky problem dhe shumë të tjerë, Smaili premton se Dega e PDK-së në komunën e Graçanicës do të angazhohet fuqishëm për përmirësimin e gjendjes së qytetarëve në këtë komunë. Po ashtu, Smaili ka folur edhe për përgatitjet që është duke i bërë kjo degë për zgjedhjet lokale, të cilat pritet të mbahen në shtator të këtij viti. Ai është shprehur i bindur se PDK-ja do të jetë pjesë e udhëheqjes së komunës së Graçanicës.

“Jemi të bindur se do të jemi partia shqiptare e më e votuar. Me PDK-në fitojnë edhe vetë qytetarët e komunës tonë, sepse me të vërtetë jemi partia më e konsoliduar dhe më e përgatitur në të gjitha aspektet”, ka thënë Smaili, duke shtuar se kjo degë në vazhdimësi është duke u fuqizuar. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›