E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koalicioni me PS, Meta: Është oshilacion

Kreu i LSI: Rama nuk bën mirë të shkruajë kujtime

TIRANË Kryetari i LSI-së, Ilir Meta është po aq i qartë sa kryetari i opozitës, Edi Rama, lidhur me mundësinë e një koalicioni PS-LSI para zgjedhjeve parlamentare të 2013-ës. Pas deklaratës së kryetarit të opozitës, Edi Rama, se nuk ka koalicion me Metën sa kohë që ky i fundit është në pushtet me Berishën, ka ardhur edhe reagimi i vetë Metës. "Unë nuk jam këtu për të gjykuar këto oshilacione...”, - deklaroi Meta. Kryetari i LSI-së ka komentuar për herë të parë edhe librin “Kurban”, që Rama vazhdon ta promovojë brenda dhe jashtë vendit. "Mendoj se ka shumë libra të tjerë interesantë. Një politikan që është aktiv, nuk bën mirë të shkruajë kujtime, aq më shumë nën peshën e dëshpërimit të një humbjeje", - tha Meta. Kryetari i LSI-së kishte dje një përgjigje edhe për situatën politike në vend e konkretisht për marrëveshjen e parë të arritur mes dy forcave kryesore lidhur me reformën zgjedhore. Meta ka kërkuar që dy partitë e mëdha të mos e monopolizojnë reformën zgjedhore, ndërkohë që ka qartësuar se partia që ai drejton nuk do të vendosë kushte, por do të kërkojë zbatimin e 52 rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. “Konsensusi është shumë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm, por është i tillë dhe i shton edhe më tej vlerat e tij kur kemi konsensus për standarde, jo konsensus thjesht për interesa të caktuara të forcave të caktuara politike", - tha kreu i LSI-së. Komisioni i reformës zgjedhore u mblodh javën e kaluar dhe caktoi dy ekspertë nga dy partitë e mëdha PD e PS, të cilët aktualisht po koordinojnë detajet teknike që lidhen me kalendarin e punës dhe asistencën ndërkombëtare në komision.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›