Shkup, Rama: Opozita shqiptare, më aktive në politikën rajonale
Rama për arrestimin e katër shqiptarëve: “Si mundet në shekullin e 21, në mes të Europës, të arrestohen djem të rinj pse vizatojnë një hartë dhe e quajnë ‘Shqipëria Etnike’... Çfarë janë këta barbarë primitivë?! Kjo është e patolerueshme!”
MAQEDONI Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama promovoi dje në Shkup librin e tij “Kurban” në një auditor me intelektualë dhe publicistë, si dhe zhvilloi takime të veçanta me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti dhe të PDSH, Menduh Thaci. Gjatë promovimit të librit, duke bashkëbiseduar me shqiptarët e Maqedonisë, Edi Rama ka theksuar nevojën për komunikim intensiv të opozitës me faktorin shqiptar në të gjithë viset e rajonit ku jetojnë shqiptarët: “Ka ardhur momenti që opozita në Shqipëri të jetë më aktive në politikën rajonale dhe në komunikimin me shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë zyrtare. Për shkak se është e nevojshme që Shqipëria ta intensifikojë praninë dhe rolin e vet në komunikim me shqiptarët dhe qeveria nuk e bën dot plotësisht këtë detyrë edhe sikur të ishte një qeveri e mirë, pa mbështetjen edhe të të tjerëve e jo më kur qeveria pastaj nuk është edhe aq e mirë”, - tha Rama. Gjatë bashkëbisedimit, kreu i PS-së e ka cilësuar akt barbar e primitiv arrestimin e katër shqiptarëve që vizatuan hartën e ‘Shqipërisë Etnike’ në Tetovë: “Kush mund të ndalojë kënd, në botën e lirë të vizatojë një hartë që ta quajë republika ime. Ç'lidhje ka kjo?! Si mundet në shekullin e 21, në mes të Europës, të arrestohen djem të rinj pse vizatojnë një hartë dhe e quajnë ‘Shqipëria Etnike’. Si ka mundësi?! Çdo njeri ka të drejtë të vizatojë një hartë dhe ta quajë çfarë të dojë. Dikush mund të vizatojë edhe hartën e botës dhe të thotë bota është e imja. E çfarë?! Do ta marrin e do ta çojnë në Hagë, për krime kundër gjithë botës. Çfarë janë këta barbarë primitivë?! Kjo është e patolerueshme!”. Po dje Rama ka zhvilluar një takim të veçantë me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti. “Biseduam gjerë e gjatë mbi Shqipërinë, mbi Maqedoninë, marrëdhëniet mes nesh, mes partive tona, por dhe mbi librat”, - u shpreh Rama pas takimit. Ai foli gjithashtu mbi intensifikimin e komunikimit të Partisë Socialiste me të gjithë faktorin shqiptar në rajon: “Dëshiroj të theksoj se Partia Socialiste dhe opozita shqiptare e ndjejnë të nevojshme rritjen e pranisë dhe të komunikimit me të gjithë faktorët shqiptarë në rajon. Kjo për të dhënë një kontribut të plotë nga Shqipëria, duke shkëmbyer pikëpamje dhe dakordësi për çështjet nga më të mëdhatë deri më të voglat”. Nga ana e tij, Ahmeti e ka njohur Ramën me programin e përbashkët për qeverisjen e Maqedonisë. "Folëm për situatën politike në Maqedoni. Njoftova z.Rama në lidhje me proceset në Maqedoni, marrëdhëniet mes partnerëve të koalicionit, arritjet, sidomos për interpretimin autentik të ligjit në rastet e Hagës, për rregullimin e çështjeve të përdorimit të simboleve, për avancimin e gjuhës dhe programin e përbashkët që partnerët marrin për të bashkëqeverisur vendin...”, - tha ai. Rama ka zhvilluar një takim të veçantë edhe me kreun e PDSH-së, Menduh Thaçi. Ai tha gjatë takimit se eksperienca opozitare është e ngjashme në të dyja vendet: “Shkëmbyem mendime mbi eksperiencën opozitare, e cila është e ngjashme në të dyja vendet”. Edhe në takimin me Thaçin, Rama ka theksuar domosdoshmërinë e intensifikimit të komunikimit të opozitës shqiptare me partitë politike të rajonit. Rama dhe Thaçi kanë shkëmbyer me njëri-tjetrin edhe librat e tyre. Duke marrë librin “Kurban”, Menduh Thaçi u shpreh se do ta lexojë atë me interes të veçantë: “Kënaqësi që marr nga vetë Edi Rama librin ‘Kurban’. Garantoj se do ta lexoj librin, pasi nuk jam prej atyre që nuk i lexojnë librat”. Pas vizitës dyditore në Maqedoni, Edi Rama ishte mbrëmë në Korçë për të promovuar librin. “Kur flas për librin është gjithmonë një tjetër eksperiencë. Më bëhet qejfi që do ta lexoni librin vetë. Shpresoj që pavarësisht nëse jeni apo jo dakord, të mos jetë një lexim i mërzitshëm. Ky është një libër për të ardhmen”, - tha ai
N.P