Kushtetuesja: Kombësia tek ligji për gjendjen civile, i papajtueshëm
TIRANË Gjykata Kushtetuese zbardhi dje vendimin, përmes të cilit shfuqizonte si të papajtueshëm me Kushtetutën termin “kombësi” në nenet e ligjit “Për gjendjen civile”.
Sipas vendimit të kësaj gjykate, termi ‘kombësi’ në ligjin "Për gjendjen civile" është i papajtueshëm, pasi bie në kundërshtim me nenet 20 dhe 35 të Kushtetutës. Me shumicë votash, anëtarët e kësaj gjykate shprehen se termi për ‘kombësinë' cenon parimin e sigurisë juridike, pasi nuk mbron të dhënat personale. “Gjykata çmon se rregullimet e ligjit për gjendjen civile, objekt shqyrtimi, cenojnë garancitë e nenit 35 të Kushtetutës. Si përfundim, në vijim të arsyetimit të mësipërm, gjykata vlerëson se termi “kombësi”, i përcaktuar në nenin 6/1 dhe 8; termi “kombësinë në përputhje me kombësinë e prindërve”, i përcaktuar në nenin 42/2, germa “e”, dhe neni 58 i ligjit “Për gjendjen civile”, cenojnë parimin e sigurisë juridike dhe bien në kundërshtim me nenet 20 dhe 35 të Kushtetutës. Kjo ndërhyrje, në vlerësimin e gjykatës shkakton një devijim nga parimi kushtetues i mos detyrimit të bërjes publike të të dhënave personale, ku përfshihen dhe të dhënat personale “sensitive”, i cili sanksionohet në nenin 35 të Kushtetutës”, - thuhet në vendimin e Kushtetueses. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese erdhi pasi mori në shqyrtim padinë e bërë nga Gjykata e Sarandës, Përmetit dhe Shkodrës, ku ndër të tjera thuhej se ligji “Për gjendjen civile” cenonte rëndë parimet kushtetuese duke detyruar shtetasit shqiptarë që të deklarojnë përkatësinë e tyre etnike.