Koalicioni në debat
___521_262466.jpg)
Zëvendëskryeministri i Parë, Behgjet Pacolli ka deklaruar se nuk e ka dert nëse prishet koalicioni aktual PDK-AKR, ndërsa Kryeministri Hashim Thaçi ka mohuar një koalicion të ri me AAK’në.
Kohëve të fundit është duke u përmendur një koalicion i mundshëm mes PDK’së dhe AAK’së, por se në vazhdimësi është mohuar një gjë e tillë nga zyrtarët e të dy partive.
Megjithëkëtë, Pacolli është shprehur se nuk është dijeni sa u përket zhvillimeve dhe komenteve të ndryshme se martesës mes PDK’së dhe AKR’së i ka ardhur fundi dhe se po përgatitet një koalicion mes Hashim Thaçit e AAK’së.
“Nuk më bëhet vonë, koalicioni për mua le të prishet nesër”, ka thënë Pacolli, për Radio Dukagjinin.
“Sa më përket mua, mundet me u prish nesër, hiç nuk prish punë. Mund të prishet nëse dikujt i prish punë, le ta mendojnë vetë. Nuk di asgjë, unë jam në rrugë. Nuk e di çka ka ndodhur, e as çka po ndodh”, ka shtuar ai.
Por, ndryshe ka folur Kryeministri Thaçi. Ai ka thënë se koalicioni aktual është stabil, funksional dhe mirëqeverisës.
“Të gjitha spekulimet mediatike janë të paqëndrueshme. Ky koalicion po e përmbush me sukses mandatin për Kosovën europiane”, ka thënë Thaçi.
Lideri i PDK’së ka thënë se nuk e ka në plan të ndryshojë partnerin e koalicionit.
Kohëve të fundit ka filluar të përmendet një koalicion mes PDK’së dhe AAK’së, për t`i dhënë kredibilitetit më të madh Qeverisë në mënyrë që të ketë me shumë numra në Kuvend për të folur me Serbinë për Veriun e Kosovës.
Por, një mundësi e tillë është mohuar nga zyrtarët e PDK’së dhe AAK’së. Këta të fundit kanë thënë se me Hashim Thaçin nuk do të hyjnë në koalicion.
Zyrtarët e AAK’së kanë thënë të mërkurën se i gjithë debati për një koalicion të mundshëm mes PDK’së dhe partisë së Ramush Haradinaj po ndodh për shkak se koalicioni aktual është drejt humbjes së legjitimitetit për shkak të mungesës së numrave në Kuvend dhe për faktin se një pjesë e kabinetit qeveritar është nën hetime për korrupsion.
Koalicioni PDK-AKR është formuar pas zgjedhjeve të fundit, ku Pacolli ka marrë pesë ministri dhe disa poste të tjera ministrore.
Kohë më parë, nga koalicioni qeveritar është larguar deputeti i AKR’së, Emin Gërbeshi, vota e të cilit nuk do të jetë më pro Qeverisë.
Megjithëkëtë, koalicioni aktual e ka vështirë të marrë vendime të rëndësishme për faktin se edhe një pjesë e deputetëve të PDK’së dhe të partive në koalicion jo gjithherë kanë përkrahur vendimet e Qeverisë.