Përplasje për Kosovën në New York

Diplomacia ruse ka dështuar të dëmtojë Kosovën përmes konsultimeve në Këshillin e Sigurimit sepse argumentet e saj janë kundërshtuar nga shtetet perëndimore, kanë thënë burime ndërkombëtare të KosovaTimes.
Burime ndërkombëtare të KosovaTimes kanë thënë se Rusia ka ngritur disa çështje, përfshirë vrasjen e dy serbëve në komunën e Ferizajt.
Një përfaqësues i OKB-së ka raportuar për këtë vrasje. Përfaqësues të shteteve perëndimore kanë thënë se ky rast është i izoluar pavarësisht tensioneve në veri të Kosovës.
Por ajo që ka habitur diplomatët perëndimorë ka qenë protesta e përfaqësuesit rus për pjesëmarrjen e Kosovës në Konferencën “Miqtë e popullit sirian”, e mbajtur në Paris, para dy javësh. Në mesin e mbi 100 shteteve, Qeveria franceze ka ftuar në këtë konferencë, në cilësi të barabartë, ministrin e Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili ka mbajtur një fjalim në Paris.
“Shumica e vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit kane reaguar përse thirret mbledhje për takime që ka pasur një qeveri me përfaqësuesit e opozitës së Sirisë, pasi këtë e bëjnë të gjitha shtetet”, ka thënë diplomati ndërkombëtar me kusht anonimiteti.
“Qeveria e Kosovës ka qëndrim të njëjtë me shumicën e shteteve tjera për situatën në Siri”, ka theksuar ai.
Gjithashtu, diplomati rus ka pretenduar se në Kosovë janë stërvitur kryengritësit sirianë dhe jo vetëm ata por edhe qytetarë të Libisë.
“Gjermania lidhur me spekulimet për trajnime, ka thëne se ne nuk jemi këtu të merremi me thashetheme mirëpo nëse ju keni fakte na tregoni, përndryshe nuk mbështetemi në gazeta”, ka thënë zyrtari ndërkombëtar.
Vizita publike të politikanëve nga Siria dhe Libia janë keqpërdorur nga disa media me raportimet se kryengritësit nga këto shtete po stërvitën ushtarakisht në Kosovë.