E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koçi: PS e PD të reflektojnë ndaj gabimeve të 2008-ës

TIRANE- Një pjesë e aleatëve të opozitës janë mbledhur dje, në një drekë pune, ashtu siç është bërë traditë prej javësh, pranë selisë së PS-së. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka biseduar dje, pas një mungese të gjatë në këto takime, me kreun e PDS-së, Paskal Milo, me kryetarin e PSD-së, Skënder Gjinushi, si dhe me kryetarin e PDK-së Nard Ndoka. Burimet thanë se në takim ka qenë edhe një prej negociatorëve të marrëveshjes për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri, i cili ka informuar në lidhje me bisedimet që u zhvilluan me PD-në, deri në arritjen e marrëveshjes. Në takim mësohet se nuk ka pasur ndonjë debat, në lidhje me pakënaqësitë që ka shprehur në media, kreu i PDS-së, Paskal Milo.

Ndërkohë që kreu i PSV 91, Petro Koçi ka përshëndetur marrëveshjen e arritur mes PS-së e PD-së për ngritjen e Komisionit Parlamentar për reformën zgjedhore dhe shpreson që ky komision të fillojë shumë shpejt veprimtarinë e vet. “Shtyrja e mëtejshme e ngritjes së këtij komisioni do ta komprometonte cilësinë e reformës dhe do prodhonte zgjidhje të minutës së fundit. Kodi Zgjedhor ka rëndësi jetike për proceset politike dhe demokracinë në vend”,- tha Koçi. Koçi tha se: “PSV gjykon se marrëveshja e bërë publike lidhur me procesin e ngritjes së komisionit duhet të shoqërohet me transparencën e kuadrit të përmbajtjes së reformës. Konsensusi në vetvete nuk përbën objektiv, por thjesht instrument politik”. Koçi u shpreh më tej se “shpreson se si PDja ashtu dhe PS-ja të kenë reflektuar seriozisht ndaj pasojave antidemokratike të konsensusit fajtor të prodhuar përkatësisht në vitin 2008”.
(ma.ar/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›