Koçi: Pano Taçi vdiq mbi motor
Lamtumira
Në proces botimi Muzgu vjen papritur. Poeti e kishte humbur bllokun e kujtimeve
Pano Taçi nuk është përcjellë i vetëm. Mbi arkivolin e tij janë vënë kurora me lule, ndonëse mund të mos ketë pasur lot, miqtë e ndienin fort dhimbjen. Për të dhe për poezinë. Secili kishte shumë për të treguar. Flisnin për Panon, ashtu siç e kishin njohur ata, por edhe për vargjet e tij. Presidenti Bamir Topi, ministri i Kulturës Aldo Bumçi, këshilltari i Kryeministrit, Neritan Ceka, janë përkulur para trupit të pajetë dhe kanë lënë nga një shënim në librin e përcjelljes. Në një nga poezitë e tij kërkonte një vdekje të denjë, dikë që të mos e linte pa varr. Duhet të ketë ikur i qetë. Ndërsa shkon, libri i fundit i tij ka mbetur në proces botimi. Pandeli Koçi, shkrimtar dhe mik i Panos, tund kokën për koincidencën mes ikjes së poetit dhe titullit të botimit. Libri i fundit që Panua më dha me dorën e tij për redaktim ishte Muzgu vjen papritur. Është në proces botimi, por ai nuk mundi ta priste. Edhe vdekja e tij ashtu erdhi, papritur, thotë Koçi. Ai tregon se gjatë një muaji që Pano Taçi ishte në spital, nuk hoqi dorë nga zakoni i tij i përditshëm. Sa i iknin dhimbjet, ngrihej, zbriste, i hipte motorit dhe shkonte të takonte shokët apo të ulej nëpër klubet e tija. Mund të themi se ka vdekur mbi motor. Edhe një ditë para se të vdiste ai doli nga spitali se nuk qëndronte dot mbyllur. Edhe kur e ftoja të ngjitej në shtëpi, më thoshte: Mbyllur kam qenë unë tërë jetën. Koçi tregon se e ka ndarë në tri cikle vëllimin e tij që përmban poezitë e fundit, e për të cilin Ministria e Kulturës i kishte premtuar një mbështetje: Jeta, vdekja dhe dashuria. Pano Taçi jetoi i lirë dhe vdiq i lirë, thotë Koçi, duke kujtuar jetën plot dhimbje. I biri, i ardhur nga Greqia për ceremoninë mortore, e ka të pamundur të flasë. Ca nga momenti e ca ndoshta edhe nga largësia mes jetëve të tyre. Ka lënë miqtë të flasin për Panon. Ai nuk ishte mësuar me dhimbje e as të jetonte me komoditete. Si duroj dot këto dhimbje, më thoshte, kujton Koçi. E pyes nëse ka dijeni mbi bllokun ku po shkruante kujtimet. Sigurisht. Po për fat të keq e ka humbur atë bllok. Fillimisht më tha që e kishte çuar për botim, por pastaj tregoi se mund ti kishte rënë nga motori. Kishte kujtime shumë të bukura, një pjesë edhe të botuara, tregon Pandeli Koçi. Ato kujtime i mori me vete atje ku shkoi. Miqtë i dhanë lamtumirën e fundit poetit të pazakontë.