Kocijançiq: Zgjedhjet, fokusi kryesor i takimit Thaçi - Daçiq

Të dielën do të mbahet takimi i radhës në mes të kryeministrave të Republikës së Kosovës dhe atij të Serbisë në Bruksel. Fokusi kryesor i takimit të do të jenë sërish zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.
Këtë ju ka thënë gazetarëve në Bruksel, Maja Kocijançiq, zëdhënësa e ndërmjetësuesës së këtij dialogu, Catherine Ashton.
“Ashtu siç e kemi paralajmëruar, Zonja Ashton të dielën do t’i takojë kryeministrat Thaçi dhe Daçiq për të 16-ën herë. Ata do ta vazhdojnë dialogun që është mbajtur në fund të muajit të tetë që do të thotë se në atë takim do të diskutohet implementimi i marrëveshjes së prillit e fokusi kryesor do të jetë përgatitja e zgjedhjeve”, ka thënë Kocijançiq.
Por, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në mbledhjen e sotme të Qeverisë nuk e ka përmendur se do të bisedohet për zgjedhjet.
“Qëllimi i këtij takimi është që të përmbyllet marrëveshja për telekomin dhe energjinë. Kosova i ka kryer të gjitha obligimet e veta që i ka pasur edhe ato teknike, profesionale dhe politike, gjithashtu edhe Bashkimi Evropian. Qëndrimi i Kosovës dhe Bashkimit Evropian është identik sa i përket këtyre dy çështjeve ndërsa unë dua të besoj se edhe Serbia do të ketë qëndrim pozitiv për aprovimin e këtyre dy marrëveshjeve”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.
Zëdhënësja e shefes për politikë të jashtme megjithatë ka thënë se zgjedhjet nuk do të jetë e vetmja temë që do të diskutohet, ndërsa nuk ka mundur të jap asnjë detaj ku kanë ngecur punët rreth telekomit dhe energjisë.
“Nuk është në pyetje se çfarë ka mbetur, por për atë se që këto zgjedhje të jenë të përgatitura mirë dhe në këtë kontekst ata do të diskutojnë për atë që është e rëndësishme për përgatitjen e zgjedhjeve… Unë ju thashë që zgjedhjet nuk janë e vetmja temë, ata do të flasin për implementimin e marrëveshjes së prillit dhe ju e dini që ai implementim është në proces e sipër”, ka thënë në fund Kocijançiq. /Indeksonline/