VV: Gjykata kushtetuese “abstenon”, KQZ-ja shkel ligjin

Lëvizja Vetëvendosje do ta dërgojë në Gjykatë vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për heqjen e stemës nga fletëvotimet, thanë anëtarët VV-së në një konferencë për shtyp, Visar Ymeri dhe Glauk Konjufca.
“Me orientimin e Ivica Dacicit dhe konfirmimin e Hashim Thaçit, Komisioni Qendror Zgjedhor hoqi stemën e Republikës së Kosovës, si dhe me 4 shtator u regjistrua një subjekt si listë e përbashkët serbe, e quajtur ‘Srbija’. Në këto kushte nuk do të ishte e papritur që logoja e tyre për shembull të ishte stema e Republika e Serbisë. Prej Rregullës për certifikimin e subjekteve politike, e deri tek Ligji për zgjedhjet e përgjithshme, e rregullojnë dhe e normojnë drejtpërdrejtë dhe indirekt emërtesat në përputhje me kushtetutshmërinë dhe me vlerat e republikës sonë”, u tha në konferencë. “Neni 5, pika X, i lejon zyrës për regjistrim ne KQZ, që nëse subjekti i cili paraqitet për regjistrim me emër që mund të nxisë urrejtje etnike, të drejtën për mos ta regjistruar atë”.
VV këtë çështje do ta dërgojë si rast gjyqësor për shkelje administrative në Gjykatë. Meqë Gjykata Kushtetuese nuk ka juridiksion mbi vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Kuvendi nuk ka kompetencë për t'i shqyrtuar vendimet e KQZ-së, ky rast për VV-në shërben për të kuptuar se “si duhet t'i rregullojmë në të ardhmen institucionet”.
Në anën tjetër, për VV-në vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë kundërthënëse. Fjala, sipas tyre, është për Vendimin për Ligjin për Amnistinë, Vendimin për Ligjin për Marrëveshjen e parë Kosovë-Serbi, dhe Kontestimi i Ligjit për Buxhetin që parashikon krijimin e Fondit për veriun. /Indeksonline/