E Diel, 1 Nëntor 2026

Kocijanciç: BE nuk pajtohet me vendimin e Kosovës

Bashkimi Evropian ka reaguar për situatën e krijuar prej mbrëmjes së djeshme në veri të Kosovës.

Ka qenë zëdhënësja e përfaqësues së lartë të Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton, Maja Kocijanciç, ajo e cila ka thënë se Bashkimi Evropian nuk pajtohet me vendimin e autoriteteve në Kosovë për të ndërmarrë aksionin në veri të vendit. “Është thelbësore tani që të qetësojmë situatën dhe të kthehemi aty ku ishim”, ka thënë Kocijanciç, duke nënvizuar se misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, është i gatshëm të ndihmojë autoritetet në Kosovë për ta bërë një gjë të këtillë. Ajo thekson se kthimi në situatën e mëparshme qetëson situatën dhe ndihmon në vijimin për punën rreth dialogut. Koçijanciç shprehu bindjen se çështja e vulave dhe tregëtisë duhet të zgjidhet nëpërmjet bisedimeve.
Ajo gjithashtu ka thënë se Bashkimi Evropian ka potencuar se as vendimi për embargon nuk ka qenë i dobishëm dhe se duhet dhënë mundësi dialogut.

Më herët në lidhje me këtë vendim ka reaguar edhe komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler, i cili ka bërë thirrje kundër përshkallëzimit të dhunës në veri të vendit dhe ka kërkuar maturi nga të gjitha palët. “KFOR-i nuk pranon asnjëlloj dhune. Në një shoqëri demokratike mendimet e ndryshme apo pozitat konfliktuoze, duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore me diskutime dhe negociata”, thuhet në një komunikatë për media të KFOR-it.
Edhe zëdhënësi i EULEX-it, Nicholas Haëton ka bërë thirrje për qetësi nga të gjitha palët. Ai ka thënë se EULEX-i nuk ka qenë në dijeni për aksionin e ndërmarrë nga forcat policore në veri të Kosovës, por ka shtuar se misioni evropian ka bashkëpunim shumë të afërt me KFOR-in dhe do t`i bashkërendojnë veprimet për ruajtjen e rendit dhe ligjit në veri të vendit.
U raportua gjithashtu se serbët kanë nisur të mblidhen tek ura kryesore në Mitrovicë, ku ka forca të KFOR-it dhe të njësisë speciale të Policisë së Kosovës.
Ndërkaq Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi deklaroi për mediat se janë të vendosur në realizimin e aksionit të tyre në marrjen nën kontroll të pikës 1 dhe 31. Ai shtoi se EULEX-i nuk është treguar i gatshëm të ndihmojë në këtë aksion. Rexhepi tha se Policia e EULEX-it po pengon hyrjen në pikën 1 të Njësisë Speciale të Kosovës, konkretisht në fshatin Rudare të Leposaviqit.
Për këtë situatë ka komentuar edhe sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq i cili ka paralajmëruar se situata në veri të Kosovës mund të përshkallëzohet.
Më herët Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi shkarkoi nga posti i drejtorit të Policisë së Kosovës, Reshat Maliqin. Ndërsa u njoftua se njësitë speciale të Policisë së Kosovës ndërmorrën një aksion për të marrë nën kontroll pikat 1 dhe 31 në veri të Kosovës ,të cilat për një periudhë kohe, ishin jashtë kontrollit të autoriteteve kosovare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›