Kocijançiç: Brukseli me mesazhe të qarta për Nikolliç
Zëdhënësja e shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Europian, Maja Kocijançiç, ka thënë se BE do t`i japë mesazhe të qarta presidentit të ri të Serbisë, Tomisllav Nikolliç, gjatë vizitës së nesërme të tij në Bruksel.
“Presim që Serbia të vazhdojë reformat e nevojshme dhe të bëjë hapat e duhur për vazhdimin e negociatave me BE-në. Nga zyra e përfaqësueses së lartë, Kethrin Eshton, do të kërkohet që të vazhdojë dialogu me Prishtinën”, ka thënë Kocijançiç.
Nikolliç pritet të takojë të enjten në Bruksel presidentin e Komisionit Evropian, Hoze Manuel Baroso, baroneshën Kethrin Eshton dhe presidentin e BE-së, Herman Van Rompuj.
Nikolliç ka premtuar se do të vazhdojë angazhimet për integrimin evropian të Serbisë.