E Diel, 1 Nëntor 2026

Koçiu: Së shpejti rregullime ligjore për monopatinat, do të kenë shpejtësi të normuar

TIRANË, 11 nëntor /ATSH/ Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu iu përgjigj sot pyetjeve të deputetëve në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, lidhur me ndalimin e përkohshëm të monopatinave.

Koçiu u shpreh se, “arsyeja kryesore pse ne shkuam në një masë drastike është pikërisht fakti i aksidenteve të shpeshta të ndodhura dhe rrezikshmërisë që krijon për çdo qytetar, lëvizja e të tilla mjeteve motorike të parregulluara në legjislacion”.

Koçiu theksoi se, “jo që nuk ka një legjislacion për bllokimin, por janë mjete motorike të parregulluara në legjislacion, të cilat vërtet do të duhet të kenë një shpejtësi të normuar dhe aktualisht që flasim nuk e kanë një të tillë”.

“Ka sot monopatina dhe me 80 km/orë që i përdorin fëmijë pa asnjë masë mbrojtëse dhe që qarkullojnë në rrugë në mënyrë të frikshme”, nënvizoi ministrja.

Koçiu theksoi se, kjo masë nuk u shpik nga vendi ynë, por është ndjekur nga shumë vende evropiane.

“Kjo ishte arsyeja e një mase të tillë ekstreme, të menjëhershme, e cila në fakt nuk erdhi si një masë e shpikur nga vendi ynë. Erdhi si një masë e replikuar edhe nga vende fqinj deri te Maqedonia e Veriut, tek Italia, te Franca, të cilat gjithashtu morën një masë drastike për pezullimin e tyre deri në hartimin e një legjislacioni të plotë, sepse janë mjete motorike të dala kohët e fundit që nuk gjejnë një rregullim të qartë në legjislacion”, tha Koçiu.

Ministrja theksoi se, “është shumë më e rëndësishme ruajtja dhe mbrojtja e jetës dhe sigurisë së fëmijëve tanë në raport me një investim që patjetër është i rëndësishëm për xhepin e kujtdo që zgjedh të investojë në një mjet motorik të tillë dhe që lehtëson në përditshmëri lëvizshmërinë dhe patjetër që përmirëson edhe mjedisin për shkak të mosndotjes prej tij”.

Por, nga ana tjetër, shtoi ministrja, “ka shumë më shumë rëndësi siguria e jetës dhe mbrojtja e fëmijëve dhe mbrojtja e kujtdo që i përdor të tilla mjete motorike me rrezikshmëri të lartë në mënyrë të parregulluar, pa mjetet mbrojtëse dhe pa garantuar që këto mjete të kenë në fakt edhe një normim të saktë dhe kushdo që i blen të dijë se çfarë po përdor, si e përdor dhe çfarë duhet të ketë parasysh gjatë përdorimit të tyre”.

Koçiu u shpreh se po punohet për rregullimet e nevojshme ligjore dhe shumë shpejt ato do t’i paraqiten Kuvendit.

“Ne po punojmë me intensitet që të kemi rregullimet e nevojshme ligjore, nuk po e lëmë në rrjedhje të lirë dhe shumë shpejt do t’ia paraqesim edhe komisioneve, edhe Kuvendit rregullat përkatëse, të cilat jam e sigurt që do ta kthejnë tashmë përdorimin e këtyre mjeteve motorike të rregulluar, të normuar ashtu siç duhet, për të garantuar siguri dhe mbrojtje për jetën e kujtdo”, tha ministrja Koçiu.

Koçiu theksoi se monopatinat janë burim shumë i madh aksidentesh.

“Referuar shifrave të Policisë së Shtetit, janë mbi 1 mijë aksidente të ndodhura nga fillimi i këtij viti. Në fakt, dhe po t’i referohesh të dhënave, jo në të gjitha rastet Policia e Shtetit njoftohet për këto aksidente. Vetëm kur është njoftuar Policia, janë 1 mijë raste, nuk janë pak. Patjetër, që monopatinat janë një rrezikshmëri e madhe për të gjithë qytetarët, kështu që patjetër ne ndërhymë edhe në këtë pikë, duke i pezulluar përkohësisht dhe duke na dhënë mundësinë që ne ndërkohë të ndërtojmë një bazë ligjore ku të qartësohet dhe të standardizohet mënyra se si këto mjete motorike duhet të lëvizin dhe të qarkullojnë, duke patur parasysh edhe të gjitha standardet e sigurisë që do duhet të respektohen”, tha ministrja.

Kapri: Në Vjenë monopatinat trajtohen si biçikleta

Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri u shpreh se, “në udhëzimin e nxjerrë nga Ministria e Brendshme thuhet se nuk ka bazë ligjore për ndalimin e monopatinave, pavarësisht se ka pasur raportime që kemi të bëjmë me burim aksidentesh.

“Këtu keni shkelur një parim të rëndësishëm kushtetues. Pra një i ri që shmang trafikun në Tiranë ose çdo qytet. Që blen një produkt me taksa, madje merr dhe kredi për atë, e përdor konform rregullave edhe ligjeve që janë në fuqi shkon dhe ia konfiskoni pa ligj, e çoni dhe në një ambient ku sipas njoftimit dhe videos që ka sjellë policia pa kushte që po shkatërrohen atje dhe thoni që do presim të bëjmë udhëzim ose ligj për përdorimin e tyre”, tha Kapri.

“Ky nuk është standard i një vendi evropian dhe aq më tepër kur je keni shkelur këtë parim të rëndësishëm kushtetues”, u shpreh deputeti.

Pra, theksoi Kapri, “si mundet ju të ndaloni përdoruesit e monopatinave meqë ju nuk paskeni bërë udhëzimet dhe nga ana tjetër, keni shumë hapësira për të zbatuar ligji, sidomos ligjin anti-mafia për ndalimin e këtyre makinave të të fortëve që janë kudo ën Shqipëri dhe që nuk i shikon t’i ndalojë kush. Aty keni bazë ligjore t’i ndaloni këto makinat e tipit të fundit t’i çoni në komisariate dhe t’u thoni sillni të gjithë të ardhurat që ju kanë mundësuar për blerjen e këtyre makinave. Pra ju nuk merreni me të fortët por merreni me të dobëtit. Merreni pikërisht me një shtresë të shoqërisë, e cila punon nga mëngjesi në darkë për t’ia dalë dhe ju ata i trajtuat si kriminelë edhe pse ata nuk kishin shkelur asnjë ligj”.

Kapri u shpreh se Evropa nuk i ndalon përdoruesit e monopatinave.

“Hapa përdorimin në Vjenë, një nga qytetet më të mira të vlerësuar për të jetuar. Ka një rregull shumë të thjeshtë ata trajtohen si përdorues biçikletash. Nuk duhet të kalosh shpejtësinë 25 kmh, duhet të mbash kokoren dhe të ecësh në korsinë përkatëse dhe të jesh mbi 16 vjeç. Nuk i ndalon. Ju i ndaluat dhe i trajtuat si kriminelë”, tha Kapri

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›