E Diel, 1 Nëntor 2026

Dule e Haxhinasto: Fokusi i reformës territoriale, efikasiteti dhe integrimi në BE

TIRANË, 11 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Dy përfaqësuesit e opozitës në komisionin e posaçëm parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, deputetët Vangjel Dule dhe Edmond Haxhinasto nënvizuan sot rëndësinë e kësaj reforme në drejtim të përgatitjes së strukturave vendore për procesin e integrimit.

Deputetët e Partisë Demokratike nuk ishin të pranishëm në seancën e konstituimit të këtij komisioni ku opozita përfaqësohej vetëm nga kryetari i Partisë për Bashkimin dhe të Drejtat e Njeriut (PBDNJ), deputeti Vangjel Dule dhe deputeti i Partisë së Lirisë, Edmond Haxhinasto.

Në fjalën e tij, Dule kërkoi që komisioni të marrë në konsideratë edhe punën që ka bërë një komision i ngjashëm në legjislaturën e kaluar i cili doli me dy raporte. “Kohët kanë ndryshuar, kanë evoluar, por do të ishte me vlerë që krahas materialeve të tjera stafi të përgatiste edhe një dosje të domosdoshme të punimeve të atij komisioni gjatë legjislaturës së kaluar”, tha Dule.

Ndërsa Haxhinasto kërkoi që të merren në analizë po ashtu edhe efektet e reformës së vitit 2014.

“Kërkoj që ndër materialet që duhet të administrojmë dhe studiojmë me shumë vëmendje të ishte një analizë për konceptet pozitive dhe negative që ka sjellë reforma e vitit 2014. Objektiv do të jetë rritja e eficiencës së strukturave vendore, por kemi parë se popullsia ka rënë, administrata është rritur, ndërkohë që shumë nga shërbimet në nivelin vendor po centralizohen”, tha Haxhinasto.

Sipas tij bëhet fjalë për shërbime të tilla si trajtimi i mbetjeve dhe ujësjellës kanalizimet, por edhe shumë shërbime të tjera.

“Këto janë elementë ku duhet të jemi shumë të kujdesshëm, veçanërisht për ato që janë detyrim europian. Janë elementë që duhet t’i përputhim me modelin europian”, shtoi ai.

1 nga 12

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›