E Diel, 1 Nëntor 2026

Koçiu: Shqipëria e shumicës që punon, nuk do të mbetet peng i një pakice të dhunshme

TIRANË, 24 tetor /ATSH/ Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ndau pamje nga përdorimi i mjeteve piroteknike nga protestuesit gjatë protestës së sotme në Tiranë, duke bërë thirrje për distancim nga dhuna dhe për ruajtjen e sigurisë së qytetarëve.

Në një reagim në rrjetet sociale, Koçiu theksoi se përdorimi i mjeteve të dhunshme rrezikon jetën dhe sigurinë e qytetarëve, përfshirë protestuesit, përfaqësuesit e medias dhe punonjësit e policisë.

“Këto janë pamje që nuk i përkasin as kryeqytetit dhe as Shqipërisë europiane që duam të ndërtojmë. Distancohuni nga dhuna dhe nga ata që e nxisin”, theksoi Koçiu.

Zëvendëskryeministrja u shpreh se, përdorimi i mjeteve të dhunshme rrezikon jetën dhe sigurinë e qytetarëve, pa dallim, atyre në protestë, përfaqësues të medias apo punonjësve të policisë.

“Ruani qetësinë dhe mos e vendosni jetën tuaj dhe të të tjerëve në rrezik. Nxitësit e dhunës duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre”, theksoi ajo.

Koçiu nënvizoi se, “Shqipëria nuk ka kohë për të humbur në rrugën drejt BE-së me shembuj që prodhojnë përçarje, tension dhe kaos. Energjia e vendit duhet të shkojë te puna, arsimi, zhvillimi dhe mundësitë për çdo qytetar, jo te dhuna dhe konfliktet”.

“Shqipëria e shumicës që punon, studion dhe respekton ligjin nuk do të mbetet peng i një pakice të dhunshme”, shkroi Koçiu.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›