Kurti kërkon mbështetje masive për Koalicionin Shqiptar në Luginën e Preshevës

PRISHTINË, 24 tetor /ATSH/ Kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje sot shqiptarëve të Luginës së Preshevës që nesër masivisht të dalin në votime dhe të mbështesin Koalicionin Shqiptar me numër 17.
Kurti ka rikujtuar se më 29 shtator ka pritur në takim drejtuesit e subjekteve politike shqiptare të Luginës së Preshevës, i cili përfundoi me marrëveshjen e tyre për të garuar së bashku në listën Koalicioni Shqiptar, raporton KosovaPress.
“Shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës kanë të drejtë ta ndërtojnë jetën në vendlindje, me mundësi të barabarta. Diskriminimi, përjashtimi dhe shtypja kërkojnë një përgjigje të vendosur demokratike. Me solidaritet. Me këmbëngulje. Me pjesëmarrje”.
“Nesër, është dita kur duhet të shprehni vullnetin tuaj. Përmes votës, secili e secila vendos për përfaqësimin, me kundërvënie si përgjigje. Të gjithë ju që ndodheni në Kosovë dhe keni të drejtë vote në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë duhet të jeni nesër në vendlindje për të votuar.
Sikurse, u bëj thirrje bashkëkombësve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të përfshihen aktivisht e të dalin secili e secila për të votuar dhe të mbështesin numrin 17, “Koalicionin Shqiptar”. Fletëvotimi peshon pak në dorë, por vendimi peshon mbi të ardhmen”, thuhet në deklaratën e kryeministrit Kurti.
Subjektet politike shqiptare të Luginës së Preshevës do të garojnë në një listë të përbashkët për zgjedhjet e 25 tetorit në Serbi. Për herë të parë, në vitin 2020, partitë politike shqiptare u bënë bashkë dhe garuan në një listë të vetme dhe ishte hera e parë që siguruan tri vende në Kuvendin prej 250 ulësesh të Serbisë. Në zgjedhjet e mëvonshme, ato garuan ndaras, duke fituar vetëm një mandat. /KosovaPress/