E Diel, 1 Nëntor 2026

Koço Kokëdhima në gjuhën politike të gazetarëve

Dr. Kesiana Lekbello

Arti i gjuhës së politikës nuk është vetëm një çështje stili! Sensi i fjalëve është gjithashtu i rëndësishëm, sepse mund të afrojë apo të largojë njerëzit nga politika. Po zgjedh tri fjalë, jo pa qëllim, për të kuptuar përse po shkruaj këtë artikull: “demagogji”, “privilegj” dhe “meritë”. Të tri fjalët duken neutrale dhe jo dëmtuese kur i lexon, por në kontekste fjalish, mbartin në vetvete një bagazh ideologjik aspak indiferent. Demagogjia është bërë këto kohët e fundit një fjalë që kuptohet për kë ka vëmendjen dhe dëshirën ta kuptojë, në lidhje me emrin kaq shumë të “abuzuar “ të Koço Kokëdhimës. Mos harrojmë që kur demagogjia i referohet gjithmonë të njëjtës “këmbanë”, bëhet objekt kolektiv dhe kërkon terren mbështetës.

Personat që flasin dhe përdorin demagogjinë nisen nga një opinion personal, duke menduar që çfarë shkruajnë është e vërteta, duke kërkuar edhe llogari shpesh herë në emër të së vërtetës. Demagogjia e formuluar në këtë mënyrë mund të jetë një indikator jo shumë i arsyetuar. Nëse e drejta qëndron “ në të kërkuarin llogari”, demagogjia bëhet një pretekst anakronik, sepse nuk flitet më për të “drejtat”, por për “privilegjet”. Nga këtu fjala e dytë Privilegj. Në të vërtetë në një shoqëri të shëndoshë demokratike qytetarët ndjejnë mosbarazi ndaj kujtdo që gëzon privilegjin. Në vendin tonë ekzistojnë shumë të privilegjuar, por lapsi shumë shpesh bie vetëm tek disa, shumica “harrohet”.

Për shembull klasa jonë politike, por jo vetëm ajo, ka privilegje të shumta, nga për të cilat flitet vetëm për kastën. Kritika apo vërejtje që çdo gazetar mund të bëjë në drejtim të kujtdo që është i privilegjuar mungon, aspekt ky i fundit që mund të quhet hipokrizia dhe “retorika” e gazetarisë, duke mos harruar që dhe kjo e fundit ka privilegjet e saj. Pra shërben zotësia që quhet meritokraci kundër demagogjisë dhe privilegjeve. Shoqëria jonë ka probleme me fjalën meritokraci; së pari sepse e njeh pak dhe së dyti, sepse janë dy fjalët e tjera që korrin sukses në Shqipëri. Sigurisht që çdo karierë, në çdo profesion, duhet të mbështetet vetëm tek meritokracia, nëse kështu nuk ndodh {siç konstatojmë përditë e me vite tek ne}, kemi korrupsionin si zgjidhje dhe nuk gaboj po të shkruaj që në sistemin tonë kjo e keqe është e përhapur kudo. Koço Kokëdhima kujt realiteti i përket? Si ka mundësi - ndaj seriozisht shtroj pyetjen - që nga dhjetëra e dhjetëra emra të prezantuar në listat për deputet, si nga PS-ja dhe nga PD-ja, pyetet, diskutohet, kundërshtohet dhe analizohet, me kaq pasion, vetëm emri i Koço Kokëdhimës?

Mendoj që çdo gazetar serioz të njëjtat pyetje apo analiza duhet t’i shtrojë me shumë hollësi tek të gjithë deputetët që do përbëjnë mbas 23 qershorit parlamentin tonë {PS ashtu dhe të PD}, sepse nëse kështu nuk ndodh, pra nëse emrat e deputetëve të tjerë nuk diskutohen, analizohen dhe pyeten siç po veprohet me Kokëdhimën, atëherë ka diçka që nuk shkon. Nuk mund të jemi të njëanshëm, me nënkuptime apo në kërkim të pyetjeve vetëm për kë ka një emër më të njohur {për shumë arsye} se të tjerët. Është edhe e vërtetë që sado kundërshtime/ pyetje apo analiza të bëjmë, ndjehet më tepër nevoja e përdorimit të një retorike të shëndoshë, e cila ndeshet shumë pak në shtypin shqiptar. Gjuha e drejtë e politikës është mjet i çmuar në duart e gazetarit, atëherë kur arrin dhe bën për “vete” këdo që e lexon { edhe kur lexuesi është ideologjikisht i kundërt}; në të kundërt kemi të bëjmë me një gjuhë gazetarie që mund ta quaj private ose të seleksionuar, që nuk të lejon të tejkalosh caqet.

Nëse emri i Koço Kokëdhimës shqetëson, entuziazmon apo lë indiferent elektoratin, këtë duhet ta verifikojë kutia e votimeve: por nëse akoma do diskutohet me tendencë vetëm emri i tij, kjo sigurisht do të thotë që problemi mund të jetë i ndonjë natyre private/ shoqërore që ka për avantazh një tjetër ideologji ose pikësynim. Nuk ekziston asnjë parti politike që brenda vetes të mos ketë akorde dhe kushte të nevojshme për të zgjedhur deputetët. Të kërkohet rruga e drejtë për fitoren është strategji elektorale, të kesh pranë vetes njerëz të besuar është domosdoshmëri e pashmangshme. Së fundi, gjuha politike e gazetarëve duhet të shërbejë për të nxitur idetë e ndryshme drejt një qëllimi të përbashkët, pra të ndërgjegjësojë elektoratin në drejtim të deputetëve që do zgjedhë. Artikujt dhe opinionet kanë peshën e tyre tek lexuesi dhe asnjë gazetar nuk mund ta lejojë veten të largohet nga ky realitet; objektiviteti i rregullave, sidomos gjatë fushatës elektorale, shërben që emri i perveçëm i një deputeti të mos bëhet lojë politike.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›