E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodheli: Në referendum të përfshihen edhe kërkesat tona

Ajo deklaroi se Berishës nuk i intereson imuniteti dhe se kjo është thjeshtë propagandë e kësaj qeverie që synon të mbulojë dështimet e veta.

“Në fakt, Berishës nuk i intereson aspak imuniteti. Atij nuk i intereson as integrimi i Shqipërisë. Njësoj si kur e zgjodhi Presidentin në kundërshtim të hapur me kërkesën e Bashkimit Evropian për konsensus. Njësoj siç ka vepruar gjatë gjithë këtij viti, duke rrezikuar ta ngelë Shqipërinë në klasë për të tretën herë vetëm e vetëm se qeveria e tij nuk di të bëjë detyrat e shtëpisë. E vërteta është se e gjithë kjo propagandë e kësaj qeverie synon thjesht dhe vetëm të mbulojë dështimet e këtij pushteti”, theksoi ajo.

Duke shprehur shqetësimin për situatën në vend, si rritjen e vrasjeve, apo kushtet e vështira ekonomike, Kodheli tha se në një situatë të tillë, Berisha hedh idenë e referendumit. “Tani na ka hedhur idenë e mbajtjes së referendumit. Shumë dakord për referendumin, por bashkë me votën për kufizimin e imunitetit, për të cilin të gjitha palët janë dakord se duhet hequr, të fusim në referendum dhe të kërkojmë mendimin e qytetarëve edhe për propozimet tona që sigurojnë një drejtësi të pavarur. Të kërkojmë mendimin e shqiptarëve edhe për ligjin që lejon importin e plehrave. T’u kërkojmë bashkëqytetarëve tanë të shprehen edhe për hapësirën detare që Sali Berisha do t’u falë për së dyti fqinjëve tanë”, nënvizoi.

Kodheli tha se opozita nuk do të lejojë gjunjëzimin e drejtësisë. “Ditën e Hënë plani i Sali Berishës për të mbajtur të gjunjëzuar drejtësinë në këmbim të heqjes së imunitetit, dështoi. Sali Berisha u detyrua të dorëzohej dhe të pranonte realitetin: Kushtetuta është ligji themelor i shtetit dhe nuk mund të ndryshohet sa herë të na teket. Për ne socialistët, çështja e imunitetit është një çështje e mbyllur, për kufizimin e të cilit të gjitha palët janë dakord”, vijoi. /Start/

                                                                                             2012-08-08 16:14
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›