E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodheli: Shqiptarët jetojnë me 5 USD në ditë, guvernatori mes miliardave

Gazeta Shqip

Socialistja, nënkryetare e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, ngre alarmin 

Kritikat ndaj luksit të shfrenuar të guvernatorit tashmë vijnë nga fronte të tjera të opozitës. Mimi Kodheli, deputetja e PS, e cila është njëherësh edhe nënkryetare e Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, deklaroi dje se shpenzimet e Ardian Fullanit konsiderohen anormale në raport me jetesën e shqiptarëve.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë rezulton të jetë sot guvernatori i dytë më i paguar në botë në raport me të ardhurat për frymë. Jo vetëm kaq, por në një kohë kur Banka Botërore deklaron se shumica e shqiptarëve jetojnë me më pak se 5 dollarë në ditë, guvernatorit i duket gjëja më normale që të shpenzojë miliarda lekë për mobilimin e zyrës, për udhëtime të pafundme jashtë shtetit, apo që punonjësit të mos marrin bukën me vete apo për ekipin e volejbollit të punonjëseve të bankës për të cilin guvernatori na u mburr se ka zënë vendin e dytë në Ballkaniadën e bankave qendrore.

Kodheli ngre dyshime mbi justifikimin e kreut të BSH-së për shpenzimet vjetore që arrijnë në 300 mijë dollarë.

Asgjë nuk tregon më qartë se këto shifra, se çfarë përmasash ka marrë tallja që po i bën Berisha dhe pushteti i tij këtij populli. Në një kohë kur papunësia ka arritur nivele rekord, kur qindra mijëra shqiptarë nuk ia dalin më të mbyllin as muajin, kur kriminaliteti po merr përditë jetë njerëzish, ndërsa Shqipëria është në flakë, Kryeministri tregon përralla me rritje ekonomike, shtoi më tej Kodheli.

Për nënkryetaren e Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, asgjë nuk tregon më qartë se këto shifra se deri në çpikë po e rrjep kjo qeveri këtë popull. Sot që flasim, pasuritë e shqiptarëve janë duke shteruar, si pasojë e abuzimeve e korrupsionit, ekonomia shqiptare është e zhytur në borxhe deri në grykë, ndërkohë që për të mbushur gropën e zezë të financave të shtetit, Berisha praktikisht e ka nxjerrë Shqipërinë në shitje, tha deputetja e opozitës.

PS deklaron se, në 100-vjetorin e pavarësisë të Shqipërisë, Sali Berisha ka nxjerrë kombin në shitje. Pasi fali plot qindra kilometra katrorë të hapësirës ujore, në kundërshtim me Gjykatën Kushtetuese, vijon më tej Kodheli, sot Sali Berisha parashikon të shesë plot 95 për qind të pronës publike, ku midis të tjerash përfshihen 1.2 milionë metër katrorë toka në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe mbi 500 objekte e asete të tjera, gjithmonë publike.

Kodheli: Shqiptarët jetojnë me 5 USD në ditë, guvernatori mes miliardave burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›