E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodheli: “Topi i vonuar, sbesojmë te negociatat”

Autori i Lajmit: Redaksia

Deputetja e Partisë Socialiste Mimi Kodheli ka thënë dje se Presidenti i Republikës është i vonuar në negociatat e nisura dje për zgjidhjen e krizës politike, tani kur kanë kaluar nëntë ditë nga greva e urisë e 20 deputetëve të PS-së dhe 170 mbështetësve të tyre nga rrethet. Sipas Kodhelit, gjendja e grevistëve po bëhet gjithnjë e më dramatike ,ndërsa sipas saj, heshtja e Qeverisë në këtë situatë është skandaloze. “Nuk e di sa shpresë mund të ketë në këto negociata, pasi janë shumë të vonuara”,- ka thënë deputetja e PS, Mimi Kodheli. Ajo tha se PS ka dhjetë muaj që kërkon të ulet në tavolinë me palën tjetër, ndërsa shtoi se përgjigjet kanë qenë qesharake. “Situata e grevistëve po përkeqësohet në çdo moment, gjendja e tyre do të mbetet në historinë e Shqipërisë si një turp për këtë Qeveri”,- ka thënë Mimi Kodheli. Skeptikë në lidhje me negociatat e Presidentit të vendit me faktorët politikë dhe diplomatikë në funksion të zgjidhjes së krizës, janë shprehur edhe deputetë të tjerë të PS. Bashkim Fino ka thënë se ka pak shpresa për zgjidhje nga ndërhyrja e Presidentit të Republikës.

Ky lajm është publikuar: 09/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›