E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama u kundërvihet artistëve dhe Meidanit

Autori i Lajmit: Redaksia
Kryetari i opozitës u është kundërvënë dje artistëve që kanë nënshkruar një peticion kundër grevës së urisë dhe ish-presidentit Rexhep Meidani. Duke u munduar të mos përmendë emra, Rama është shprehur se ndiente keqardhje për gjendjen ku janë katandisur ata. “Fjalën e kam për disa intelektualë që kanë shkruar se greva e urisë nuk qenka e nevojshme dhe se pengoka vendin drejt integrimit. Fjala ime për ta është keqardhje, vetëm keqardhje për gjendjen ku janë katandisur”. Gjatë fjalimit të tij publik të radhës para protestuesve socialistë, kreu i Partisë Socialiste i është kundërpërgjigjur në mënyrë të tërthortë, pa përmendur emra, eksponentit të njohur të së majtës, Rexhep Meidani, i cili, një ditë më parë, lëshoi një deklaratë me të cilën theksonte se “greva nuk është e nevojshme, pasi ajo është një mjet që përdoret vetëm për raste të jashtëzakonshme”. Më tej, kreu i selisë rozë goditi gjatë fjalës së tij edhe mediat, të cilat, sipas tij, mbështesin qeverinë dhe kryeministrin Berisha, duke i cilësuar si “sazexhinjtë dhe dajrexhinjtë e haremit mediatik të Kryeministrit”.
Letra e artistëve
Personalitetet më të mëdha të letrave, të kulturës, artit dhe të mjekësisë në Shqipëri i kanë drejtuar një letër të hapur kryesocialistit Edi Rama, përmes së cilës i kanë kërkuar të mos i pengojë shqiptarët drejt shtëpisë së tyre, drejt Evropës. “Zoti Rama, hiqeni pritën dhe lërini shqiptarët të mbërrijnë në shtëpi”,- thuhet në këtë letër, ku emrat e njohur të elitës vendase, shtojnë se “dëshpërimi është këshilltari më i keq”. “Përpjekjet për të marrë pushtetin me anën e kaosit dhe anarkisë, janë rrugë pa krye, janë standarde të diktaturave dhe rebelimeve të dënueshme botërisht. Vendi ynë nuk ka qenë kurrë më pranë ëndrrës së tij dhe vetëflijimet nuk janë kurrë të hirshme”,- citohet në këtë letër, duke shtuar se “dinjiteti ynë kombëtar nuk mund të përdhoset për asnjë shkak, ne e meritojmë lirinë dhe të ardhmen qytetëruese”. Në fund, kërkojnë që me anë të kësaj letre tu rikujtojnë qytetarëve shqiptarë se “tamam në ditën kur 12 ministra të Jashtëm të Bashkimit Evropian mbështetën publikisht heqjen e vizave për Shqipërinë, një grusht politikanësh u dyndën në grevë urie”.
Kundërpërgjigjja
Rama tha se ndien keqardhje që këta emra të artit dhe të kulturës, janë bërë pjesë e haremit mediatik që rrethon oborrin e kryeministrit Sali Berisha. Kryetari i Partisë Socialiste përshëndeti në fjalën e tij grevistët që janë detyruar të lënë grevën si pasojë e problemeve shëndetësore, siç tha, ai në kufijtë e mundësisë. “Dua të përshëndes një nga ideatorët e kësaj proteste, deputetin Blendi Klosi, i cili shumë mirë e përshkroi këtë sakrificë, kur tha se këtu në këto çadra janë 200 trupa për të cilat rreh një zemër e vetme”,- tha Rama. Në letrën e tyre, artistët i kanë bërë thirrje Edi Ramës të ndërpresë grevën e urisë duke mos i penguar më tej shqiptarët në rrugën e tyre drejt liberalizimit të vizave dhe hyrjes së vendit në BE.

Artistët firmëtarë të peticionit

1. Mirush Kabashi Artist i Popullit (Durrës)
2. Agim Krajka Mjeshtër i Madh
3. Irini Qiriako Këngëtare, Mjeshtre e Madhe
4. Skënder Kamberi Piktor, Artist i Popullit (nga Vlora)
5. Fatos Kongoli Shkrimtar (nga Elbasani)
6. Agron Aliaj Koreograf, Artist i Popullit
7. Drita Pelingu Aktore, Mjeshtre e Madhe
8. Nestor Jonuzi Piktor, Artist i Popullit (nga Vlora)
9. Tinka Kurti Artiste e Popullit
10. Luiza Papa Artiste e merituar
11. Edmond Tupja Përkthyes, profesor (Tiranë)
12. Dhimitraq Orgocka Regjisor, Artist i merituar (nga Korça)
13. Margarita Xhepa Artiste e Popullit
14. Guljem Radoja Artist
15. Ali Oseku, Piktor i Popullit
16. Armaldo Kllogjeri, Tenor i njohur në skenat botërore
17. Marjana Leka, Soprano
18. Etleva Golemi, Soprano
19. Gerti Vaso, Solist i TOB
20. Lili Cingu , Mjeshtre e Madhe
21. Anila Zajmi, Piktore
22. Genc Shkodrani, Piktor
23. Buron Kaceli, Piktor
24. Rexhep Çeliku, Mjeshtër i Madh
25. Orjon Shima, Piktor
26. Zerina Kuke, Artiste (Tiranë)
27. Zhani Ciko, Mjeshtër i Madh
28. Elvira Diamanti, Aktore (Tiranë)
29. Xhelal Tafaj, Artist, urdhri “Naim Frashëri i Artë”
30. Lajla Agolli, Kompozitore
31. Ylber Gjini, Bariton
32. Myfarete Laze, Këngëtare
33. Suela Konjari, Aktore
34. Perikë Gjezi, Aktor (nga Korça)
35. Helga Saraçi, Valltare
36. Genc Permeti, Piktor
37. Sabahet Vishnja, Këngëtare
38. Donika Çili, Pianiste
39. Manjola Konjari, Mezosoprano
40. Ardian Isufi, Piktor
41. Amik Kasaruho, Shkrimtar, përkthyes

Ky lajm është publikuar: 09/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›