E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodheli në zonë të minuar

Azem Parllaku

Përtej pozitivitetit të shënuar në ecurinë e Forcave të armatosura, prezencës së tyre në NATO dhe misionet e saj për llogari të sigurisë dhe paqes, zonja Kodheli, si Ministër e Mbrojtjes, ka gjasë të mos gjejë një klimë të shëndetshme në drejtimin e tyre, përveçse një rrjedhë sfidash për t’u kapërcyer. E në këtë rrjedhë sfidash çdonjëra prej tyre fiton terren si përparësi, mbasi ato janë ndërlidhur fort dhe kanë patur një mbikëqyrje të kujdesshme për të mbetur të tilla çuditërisht! Ka mjaftueshëm qasje që janë prezente, të cilat kanë të bëjnë më së shumti me personelin, burimet tjera të fushës së mbrojtjes, si strukturat, sistemet, pajisjet, armatimi, teknika, pronat, shërbimet e përkujdesjes për ushtarakët siç janë pagat, uniforma, trajtimi me strehim, përkujdesja shëndetësore, stërvitja, arsimimi, etj. Personeli në Forcat e armatosura, aseti kryesor në përbërje të tyre, është lehtësisht i komanduar, jo vetëm tek ne, por kudogjetkë kjo për faktin se kushtëzohet nga misioni që ai përmbush. E megjithatë tek ne ky realitet është krejt ndryshe, qoftë sot, ashtu dhe në të shkuarën. Ka një numër të konsiderueshëm arsyesh për t’a justifikuar këtë pozitë aspak të favorshme, po kaq dhe të padëshiruar në menaxhimin e këtij personeli. Karriera në funksionet ushtarake fatkeqësisht dhe në veçanti për ata, është kushtëzuar nga një parregullsi rregullash me gjasme vlerësimin e tyre, gjë e cila ka krijuar diferenca që duhen analizuar dhe kapërcyer. Vlerësuar në këtë pikëshikim, këto diferenca janë të kapshme lehtësisht, mjafton të investigohen urdhërat e njëpasnjëshëm, pse jo dhe të dhënë qëllimisht, për t’a bërë këtë hendek kaq të dallueshëm. Ka qëlluar në mënyrë permanente, që media të rrokë shqetësimet të cilat kanë të bëjnë me vlerësimin dhe ecurinë në karrierë të personelit, por mospërgjigjet apo reagimet shkurt duke gjetur justifikimin në stilemën “reformë në ushtri”, e kanë justifikuar punën e komisioneve të karrierës. Në emër të transparencës për vlerësimin e personelit është goditur ai brez që mund të quhet vërtetë i artë, pikërisht 40-vjeçarët në moshën dhe pjekurinë e lakmuar për të shërbyer. Trajnimi i personelit u trumbetua me të madhe gjatë gjithë kësaj periudhe, por për fat të keq kurset e trajnimit dhe ecuria në karrierë mbetën luks vetëm për një pjesë servilësh dhe të nënshtruarish me lidhje nepotike, të cilët, edhe pasi iu nënshtruan këtyre kurseve, nuk ishin në gjendje të sillnin në praktikë ndonjë risi për t’u shënuar. Ngarkesa e punës dhe shërbimit të një ushtaraku me gradën kapiten dhe të kolegut të tij me gradën nënkolonel është e njëjtë, ndërsa diferencimi në pagë është trefishuar. Mungesa e transparencës në momentin e thirrjes në shërbim të ushtarëve profesionistë, po kaq dhe reklamat shumë tëkushtueshme dhe butaforike për t’i thirrur ata nën uniformë, ka bërë që këta të fundit të jenë përballë një fakti krejt tjetër, ku bie në sy paga e ulët dhe mospërfitimi në kohë i të drejtave të tjera financiare siç është trajtimi me ushqim, apo ai i mbulimit të qerasë për banesë. Uniformat e blerta gjatë gjithë kësaj periudhe ka-në vijuar të vuajnë të nënshtruar nga paqartësitë ligjore, pa përmendur urdhëresat në kundërshtim të plotë me ligjin. Mjafton këtu të merren në konsideratë Gërdeci, lirime, gradime, emërime, e specializime pa kurrfarë mbështetje aty në ligj. Kapërcimi i kompetencave nga funksionarët politikë, ndërkohë dhe heshtja dhe zbatueshmëria e detyrës nga funksionarët ushtarakë, nuk ka pse t’i rrëshqasë të vërtetës dhe logjikës së ftohtë. Ka mjaftueshëm arsye për të bërë një transparencë të plotë në lidhje me hapat e rëndësishëm në përmirësimet strukturore, për të patur një operacionalitet dhe ndërveprueshmëri të niveleve të kërkuara. Ende deri sot nuk është marrë në konsideratë të bëhet një analizë në lidhje me shpenzimet e qindra miliona lekëve për të ndërtuar, apo ristrukturuar shumë objekte ushtarake, të cilat dolën jashtë funksionit vetëm pak kohë pas përfundimit të tyre. A kanë faj dhe për këtë ushtarakët? Po kështu nuk ka një transparencë në lidhje me pasuritë dhe resurset materiale që dalin jashtë funksionit; Ku shkojnë dhe si administrohen të ardhurat që mund të krijohen nga shitja, apo transformimi i tyre. Si aset mjaft i rëndësishëm Forcat e armatosura thirren në mbështetje të strukturave të qeverisjes vendore në përballimin e Emergjencave Civile, pavarësisht gatishmërisë së tyre, ata pothuaj operojnë me resurset e tyre në këto raste, dhe pse komunat, bashkitë, apo qarqet disponojnë fonde të posaçme për këtë qëllim. Shpresojmë që zonja Kodheli të jetë pjesë e këtij komunikimi për të mos lënë minën të fshihet


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›