E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ofertë për plaçkitje

Enis Veliu

Më pak se një muaj kanë mbetur, kur edhe zyrtarisht në Kosovë do të nisë fushata parazgjedhore,  për zgjedhjet komunale që do të mbahen më 3  nëntor të këtij viti. Përplot 30 ditë para opinionit  do të dalin edhe një herë për të kërkuar votën e  elektoratit pjesa dërmuese e kryetarëve aktualë  të komunave të Kosovës. Përjashto kandidatin e PDK-së për kryetar të komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili edhe  më tej vazhdon të mbahet në paraburgim, si i dyshuar për krime lufta nga prokuroria e EULEX-it. Lushtaku nga burgu do të marrë besimin e elektoratit për të drejtuar komunën edhe për një mandat,  nëse prokurori i EULEX-it Mauricio Salustro kërkon  që Lushtaku edhe më tej të mbahet në paraburgim. E në të kundërtën, Lushtaku mund t’i bashkohet  elektoratit dhe të marrë pjesë në fushatë, edhe  pse dorën në zemër fundi dihet. Si në rastin e  parë, ashtu edhe në të dytin, ai do të jetë kryetar  komune. Atë po e do populli, edhe pse ky nuk ka  bërë shumë për atë. Mirëpo, pa asnjë problem në  garë po hyjnë edhe “shokët” e Lushtakut. Ata (shokët) për momentin janë duke jetuar më  familjet e tyre dhe janë duke ushtruar funksionet  e tyre, edhe pse ndaj disave ka kohë që është kon- firmuar aktakuza për abuzim me financa publike. Ramadan Muja, Qemajl Mustafa, e shumë e  shumë të tjerë, edhe një herë po i hyjnë garës si  kandidatë për kryetarë komunash. Muja edhe më  tutje vazhdon të jetë kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për Prizrenin, apo “Jerusalemin” e Hashim Thaçit. Ndërkaq i dyti për Gjilanin,  komunën më të madhe në rajonin e Anamoravës. Askush nuk e ka pritur këtë, përveç shefit të partisë Hashim Thaçi. Ky i fundit në minutat e fundit  para se të dorëzohej lista për certifikim në KQZ  e mori një vendim të tillë që thuajse pa e pyetur askënd. Ndoshta i mirë për të, por ofendues  dhe irritues për masën. Për ata që do të dalin në  zgjedhje Kandidimi i Ramadan Mujës dhe Qemajl  Mustafës, janë goditje shumë të rënda që lideri  i PDK-së Hashim Thaçi i ka bërë elektoratit të tij  në komunën që e quan “Jerusalem” të partisë së  tij, por edhe në komunën e Gjilanit. Në rastin e  parë, Muja kësaj radhe do ta këtë më të rëndë  garën, pasi që edhe njerëzit e tij të afërm janë  larguar nga ai. Rast i njëjtë sikurse i Prizrenit, apo  ndoshta edhe më i rëndë është ai i komunës së  Gjilanit, Qemajl Mustafa. Në forma dhe mënyra  të ndryshme Mustafa ka rritur volumin e parave  në llogarinë e tij private, e në anën tjetër e ka  shkatërruar arkën e shtetit. Borxhet e kësaj komune gati kanë arritur sa buxheti vjetor. Të bëmat  e mëdha të Mujës e Mustafës janë shumë herë  më të mëdha se ditët e fushatës parazgjedhore. Komunat në Kosovë do të duhej të drejtohen nga  njerëz me dinjitet të lartë moral e profesional, e jo  nga njerëz të inkriminuar që në vazhdimësi kanë  abuzuar me fonde dhe asete publike.

 (Marrë me shkurtime nga  “Koha Ditore” në Kosovë)  


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›