Shpagimi i të duruarve në Kuvendin e ri
Arben Rrozhani
Parlamenti Shqiptar do të hapë sot siparin e legjislaturës së re, asaj të XIX, duke shënuar një datë tjetër historike në numërimin e axhendës parlamentare në Shqipëri, por edhe të sfidave që e presin përpara gjatë katër viteve të ardhshme. Fakti i parë historik është rikthimi i të majtës në shumicë absolute, si në shtator 1997, kur sërish i munduri ishte ish-presidenti Sali Berisha. Fakti tjetër është se i munduri për së dyti, pas tetë viteve të dështuara si kryeministër, nuk do të ketë “nderin”, për shkak të moshës së thyer, që të hapë punimet e sesionit të parë dhe kjo e nderon Ku-vendin, që ka për mision të nisë një epokë të re, pas tetë viteve të dhimbshme bierishizëm tribal në jetën parlamentare të Shqipërisë. Shumica e re parlamentare është historike. Janë 83 mandate të majta përballë pakicës që thotë se mbron idealet e të djathtës, historikisht të tradhëtuar, nga ish-komunistët të pronësuan partinë antagoniste të të majtës prej prillit 1992. Kjo shumicë, mund të ishte dhe ndoshta do të jetë edhe 90, apo më tepër, nëse do të dojë të vendosë “diktaturën” në Kuvend, por gjithsesi ajo është e mjaftueshme, që edhe pa “merkato” mandatesh, të realizojë revolucionin e premtuar nga “rilindja”. Përballë opozitës mjerane, ku e zhyti kryeministri që dorëhiqet sot zyrtarisht, është një pozitë parlamentare, që përfaqëson, përmes 1 milion votave, ata burra dhe gra, që të paktën për tetë vitet e fundit, duruan dhe sfiduan, një shumicë me paterica, që dhunoi kundërshtarët politikë, i intimidoi ata, ua bëri të pamundur ushtrimin e të drejtës parlamentare, ua preu jo vetëm fjalën, por edhe i eleminoi fizik-isht, për të mos qenë akuzuesit e një pushteti absolut. Sot shumë prej deputetëve të shumicës parlamentare do të hyjnë në atë sallë Kuvendi, ku janë sharë me libër shpie nga kryeministri i ikur, Sali Berisha, (Taulant Balla është dëshmi-tar), janë kërcënuar me jetë (një tufë deputetësh socialistë mund të shërbejnë për këto dëshmi), prindi u është eleminuar fizikisht në cilësinë e deputetit (rasti i djalit të Fatmir Xhindit, Anduel Xhindi), janë kërcënuar nga spikerja e Kuvendit Jozefina Topalli për t’u nxjerrë për zhelesh për-jashtë sallës së seancave plenare, familjet e tyre janë marrë nëpër gojë, me shpifje monstruoze (kryeministri i ri Edi rama i ka duruar mbi supe familjarisht, bashkë me vendimet e paracaktuara të drejtësisë për të mbyllur paditë ndaj shpifësve në pushtet). Sipas mentalitet-it tipik të shqiptarit hakmarrës, ata të gjithë bashkë kanë të drejtë të kërkojnë shpagim dhe tua bëjnë kundështarit, më zi se ç’ua bëri kur ishin të vegjël e të pafuqishëm. Është historik fakti që kryetar i Kuvendit, sot do të jetë kryetari i lSI-së Ilir Meta. 44-vjeçari do të ulet me kostumin e kryeparlamentarit për herë të parë në karrierën e tij politike, të mbushur me mandate deputeti prej marsit 1992, kryetar ekzekutivi, kryetar komisioni parlamentar dhe drejtues i forcës së tretë politike tashmë në vend. Shpagimi për të ka dhe më shumë vlerë. Në atë sallë 5 vite më parë ai dhe 10 deputetë të tjerë, zhvilluan të parën grevë urie parlamentare, duke kundërshtuar Kodin e ri zgjedhor, përmes një pakti mes PD-së dhe PS-së, që tentonte të zvogëlonte shan-set zgjedhore të partive të vogla. Ai do të jetë drejtuesi i një Kuvendi të ri, që ka premtuar se do të rikthejë në binarë, Kushtetutën, pas ndryshimeve që iu bënë po në 2008 dhe për të cilat edhe kryeministri i ardhshëm, Rama ka kërkuar ndjesë zyrtare dhe nevojë për ndryshim. Kjo shumicë e re parlamentare, përveçse historike, ka edhe misionin e ri dhe historik, por edhe që nuk duhet të kthehet në shpagim: të hetojë zullumet që për tetë vite u votuan aty dhe patën pasoja në ekonominë dhe jetën sociale të vendit, të ngrejë komisione parlamentare, jo sa për të larë gojën, për të çuar në bankën e akuzës dhe pastaj në qeli, çdo qeveritar, apo parlamentar që ideoi, votoi, firmosi dhe përfitoi nga shitja e pasurisë publike, privatizimet e dyshimta, koncesionet, ligjet klienteliste. Këtë lloj shpagimi presin ato 1 milion vota që çuan në opozitë PD-në dhe në pension të pakthyeshëm politik kryeministrin që sot jep dorëheqjen. Çdo lloj shpagimi tjetër do të ishte vijimi i berishizmit tribal, me mantel të majtë, prej të cilit do të përfiton vetëm disa individë, por do të humbte misioni i “rilindjes”.