Kodi Penal, rikthehet të enjten në Kuvendin e Kosovës
Kryesia e Kuvendit të Kosovës pritet që të hënën, në mbledhjen e saj të rregullt, të diskutojë Projektligjin për shfuqizimin e neneve 37, 38 dhe 39 të Kodit Penal. Ky projektligj dështoi të përfshihet me urgjencë në seancën e së enjtes, siç kishte kërkuar PDK-ja, pasi që nuk mori votat e mjaftueshme.
Burime brenda Kuvendit kanë bërë të ditur për mediat kosovare se Kodi Penal do të jetë në rend dite, të hënën, në Kryesinë e Kuvendit, e cila më pas do t`ia adresojë Komisionit Funksional për Legjislacion Projektligjin për shfuqizimin e neneve 37, 38 dhe 39 të Kodit Penal. Këtë e ka konfirmuar edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci.
“Ne e kemi marrë rendin e ditës për mbledhjen e së hënës, kur do të mbahet Kryesia e Kuvendit dhe pikë e rendit të ditës është propozimprojekti mbi shfuqizimin e neneve 37, 38 dhe 39 dhe GP i PDK-së do ta mbështesë futjen në rend të ditës të procedimit të mëtutjeshëm në komisionin përkatës”, ka konfirmuar Grabovci.
Ai tha se PDK-ja do të kërkojë që ky projektligj të procedohet në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës, që pritet të mbahet të enjten e javës së ardhshme.
Mirëpo, kryetari i Komisionit për Legjislacion, Arben Gashi, ka bërë me dije se komisioni të cilin e drejton ai do të mblidhet të hënën dhe se në rend dite nuk e ka shqyrtimin e këtij projektligji, i cili sipas tij nuk është me urgjencë të futet në rend dite.
Ai ka sqaruar se ekziston një mundësi tjetër kur komisioni mund të diskutojë për projektligjin në fjalë.
“Dikush nga anëtarët e komisionit mund të propozojë që kjo çështje të futet si urgjente dhe nëse e aprovon komisioni këtë propozim atëherë mund të trajtohet”, ka bërë me dije Gashi, shkruan Koha.
Rregullorja e punës e Kuvendit të Kosovës, në nenin 56 percakton se komisioni e ka obligim që jo më herët se dy javë dhe jo më herët se katër javë t`ia dorëzojë seancës projektligjet për shqyrtim, e që të tilla aktualisht, në Kuvendin e Kosovës janë 28. Nuk dihet se cili prej tyre është gati për t`u përcjellë për diskutim në seancë.
Megjithatë, këto procedura nuk pritet të kenë shumë peshë, pasi që PDK-ja është e vendosur që çështja e Kodit Penal të përfundojë sa më shpejt.
“Grupi Parlamentar i PDK-së do ta mbështesë ashtu siç ka mbështetur gjithnjë ato ligje apo propozime që kanë ardhur nga Qeveria e Kosovës. Pra, projektligji do ta ketë mbështetjen e grupit tonë parlamentar”, ka theksuar Grabovci, ndërsa ka shtuar se ai nuk ishte pajtuar me formulimin ekzistues të neneve përkatëse siç i kishte dërguar Qeveria.
“Ne kemi pasur vërejtjet dhe kemi kërkuar riformulimin e tyre. Kemi ofruar shembuj nga disa shtete të cilat kanë kaluar fazën e tranzicionit, si Sllovenia, Kroacia, Shqipëria, Maqedonia...”. Pikërisht heqja e nenit 38, sipas tij, do t`i linte gazetarët pa mbrojtje.
I pyetur nëse do ta ndryshojë qëndrimin e tij nëse kodet nuk riformulohen, Grabovci ka deklaruar se nëse nuk do të ketë riformulim, “qëndrimin do ta deklaroj në seancën e Parlamentit”.
Grabovci e ka arsyetuar edhe mungesën e tij në seancën e së enjtes ku PDK-ja kërkoi që me urgjencë të futej Kodi Penal pa nenet e caktuara, heqjen e të cilave e kishte kundërshtuar.
Më i butë në qëndrimin e tij është shprehur deputeti tjetër i kësaj partie, Latif Gashi, i cili gjithashtu kishte votuar kundër heqjes së neneve.
“Qëndrimi im është që ky nen të riformulohet, nuk është që kam diçka kundër gazetarëve dhe në njëfarë mënyre e kam edhe votën e tyre dhe i përfaqësoj...Në momentin kur të vijë Kodi Penal ne do ta rishqyrtojmë në grupin tonë parlamentar dhe unë do ta mbështes çdo vendim të grupit parlamentar”.
Mos heqja e neneve 37, 38 dhe 39 e kishte shtyrë zv.kryeministrin Hajredin Kuçi, njëherësh ministër i Drejtësisë, që të japë dorëheqje nga dy postet qeveritare. Kohë më parë ai kishte premtuar se nëse nuk hiqen këto nene ai do të jepte dorëheqje.