E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodi, burg për premtimet individuale në zgjedhje

TIRANE-Nëse partitë politike e teprojnë me premtimet elektorale gjatë fushatave zgjedhore, kjo mund t'u kushtojë deputetëve ose kandidatëve për deputetë dënimin me burg. Ofrimi i parave ose i të mirave materiale, bërja e premtimeve individuale për vende pune ose favorizime të tjera në këmbim të votës, quhen tashmë vepra penale dhe dënohen minimalisht 6 muaj deri në 2 vjet burgim. Por dhe qytetari, i cili shet votën e tij për para ose dhurata, penalizohet me gjobë.

"Në një fushatë elektorale, pa diskutim bëhen premtime nga të gjitha llojet dhe kjo sigurisht nuk duhet penalizuar. Kur këto premtime bëhen në mënyrë individuale për persona konkretë dhe padyshim kanë qëllimin brenda, kjo padyshim që duhet konsideruar si një lloj imponimi, që me gjithë këto mënyra që parashikohen këtu, i bëhet zgjedhësit",- u shpreh deputeti socialist Subashi. Ndërsa Rusmaili u shpreh: "Premtimi elektoral është i dallueshëm qartë nga pazari për votën. Dispozita dënon pazarin për votën". Me propozim të komisionit të Reformës Zgjedhore, deputetët kanë përshirë në Kodin Penal dhe dënimin për komisionerët që vjedhin vulat ose refuzojnë të numërojnë votat. Ndëshkimi për ta llogaritet deri në 5 vjet burg. Këto ndryshime në Kodin Penal u miratuan me konsensus nga të dyja forcat kryesore në Komisionin e Ligjeve. Pjesë e këtij ndryshimi ishte dhe burgimi me 5 vjet i personave që falsifikojnë apo fusin në kutinë e votimit fletë të paligjshme, me qëllim ndryshimin e rezultatit.

Votimi më shumë se një herë, dënohet me burg deri në 3 vjet, ndërsa komisioneri që e lejon, dënohet 5 vjet. Gjithsesi, Komisioni i Ligjeve miratoi sërish me konsensus disa ndryshime të tjera në Kodin Penal, që kishin mbetur pezull nga ditët e mëparshme, si dhe zgjeroi kapitullin me krimet kundër zgjedhjeve me propozimet që erdhën, po me konsensus, të premten nga komisioni dypalësh i reformës zgjedhore. Nisur nga mangësitë e vëna re gjatë dy proceseve të fundit elektorale, demokratët dhe socialistët kanë rënë dakord për rreptësimin e veprave penale ndaj zgjedhjeve. Ata kanë vendosur në Kodin Penal kategorizimin e këtyre veprave, duke i detajuar me kujdes këto vepra, që në shumicën dërrmuese të rasteve nuk do të dënohen më me gjobë, por me burg, duke nisur që nga falsifikimi i dokumenteve zgjedhore, mbushja e kutive të votimit, braktisja e detyrës, blerja e votës, manipulimi i listave zgjedhore apo detyrimi i administratës apo nxënësve për të marrë pjesë në aktivitete elektorale.

Të gjitha këto masa ndëshkuese, tregojnë në thelb mosbesimin me të cilin partitë politike hyjnë në zgjedhje, dhe me përfshirjen në Kodin Penal të këtyre veprave po përpiqen të parandalojnë dhe minimizojnë ndikimet e paligjshme në procesin elektoral.

"Këto masa synojnë të forcojnë sanksione penale për disa vepra që janë momentalisht në kod dhe parashikimin e disa veprave të tjera. Mendojmë që këto ndryshime janë të domosdoshme, duke parë atë që ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara",- u shpreh Armando Subashi, deputet i Partisë Socialiste. Me gjithë mbledhjen maratonë që zgjati mbi tre orë, Komisioni i Ligjeve nuk mbylli të gjitha ndryshimet në Kodin Penal. Kanë mbetur ende pa u diskutuar disa amendamente nga mazhoranca, opozita dhe shoqëria civile për dhunën në familje, si dhe disa propozime delikate të bëra publike nga opozita, që kanë të bëjnë me hetimin e zyrtarëve të lartë pas lënies së detyrës, por që ende nuk janë depozituar zyrtarisht në Komisionin e Ligjeve.

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›