Kodi i Punës, drejt rishikimit, hiqen kriteret e ngurta
Elemente të ngurta në Kodin tonë të Punës po rishikohen për t`iu përshtatur sa më mirë tregut të punës. Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta ka nisur konsultimin me grupe të interesit, për të parë ato pjesë që duhet të ndryshohen në legjislacionin bazë që rregullon marrëdhëniet mes punëmarrësve dhe punëdhënësve në vendin tonë.
Burime nga kjo ministri kanë bërë të ditur për “standard” se deri tani është biseduar për ato pjesë të kodit që janë utopike dhe nuk përputhen me tregun e punës. Në këtë mënyrë, kodi në fjalë parashikon se e shtuna dhe e diela, si edhe festat zyrtare, do të jenë ditë pushimi për të gjithë punonjësit në shtet dhe në privat. Kjo është një nga pikat që është arritur marrëveshja për të ndryshuar. Punëdhënësit, punëmarrësit dhe shteti kanë konkluduar se një përcaktim i tillë ligjor detyron bizneset që të veprojnë kundër ligjit, pasi në profesione të ndryshme është e pamundur që puna të mos kryhet në ditët e pushimit.
Në këtë mënyrë, shumë prej tyre hartonin kontrata që i përmbushnin detyrimet ligjore, por në realitet përcaktonin si ditë pushimi për punëmarrësit ditë të ndryshme të javës, në mënyrë që të vazhdonin aktivitetin edhe gjatë fundjavës. Një aspekt tjetër për të cilin është arritur marrëveshja e ndryshimit, sipas burimeve, ka të bëjë me orarin e punës. Deri më sot, Kodi i Punës përcakton se puna kryhet në bazë tetorëshe dhe me turne të paracaktuara. Në këtë mënyrë, mendohet që të ndryshohet edhe kjo pjesë, duke përcaktuar vetëm që puna gjatë një jave e një punëmarrësi nuk do të jetë më e madhe se 40 orë.
Gjatë ditëve të fundit, grupi i posaçëm i Ministrisë së Punës, i ngritur në drejtimin e zëvendësministrit, Kastriot Sulka, ka zhvilluar një sërë takimesh me biznesin dhe sindikatat e punëmarrësve, në mënyrë që të shqyrtohen të gjitha pakënaqësitë e palëve, për të arritur në një draft përfundimtar, që do të pranohet nga të gjithë.
“Në përmbushje të këtij qëllimi takimet kanë qenë intensive në javët e fundit, për t’i dhënë mundësinë kryesisht partnerëve, sindikatave dhe punëdhënësve, që të argumentojnë sugjerimet e tyre”, – tha zëvendësministri, z. Kastriot Sulka.
Kritika në lidhje me legjislacionin tonë të punës janë kryer edhe nga ILO, Organizata Ndërkombëtare e Punës, gjatë një analize të saj për situatën në Shqipëri. Ndërkohë, elasticiteti i legjislacionit në fushën e punës është një kriter i përcaktuar edhe nga Bashkimi Evropian për të arritur harmonizimin e ligjeve vendase me ato të përbashkëta të BE-së.
Marrëveshja
QSUT, dy shtëpi për të sëmurët mendorë
Dy shtëpi të specializuara do të funksionojnë pranë QSUT-së, sipas një projekti të komunitetit italian Sant’Edigio. Kjo do të sigurojë trajtime bashkëkohore për rehabilitimin psiko-shoqëror të të sëmurëve mendorë, për herë të parë në Shqipëri. Në Ministrinë e Shëndetësisë u firmos marrëveshja me këtë komunitet për ndërtimin dhe menaxhimin e një godine banimi, sipas modelit të shtëpisë së mbështetur për pranimin dhe riaftësimin e personave me probleme mendore. Një model i ri në sistemin shëndetësor kombëtar, që synon një frymë tjetër mjekimi dhe përkujdesjeje për të sëmurët me probleme mendore. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, tha gjatë nënshkrimit të marrëveshjes se "ky projekt integrohet shumë mirë me reformimin e shëndetit mendor në Shqipëri". Në projektin e financuar nga Kooperacioni Italian, janë përfshirë konferencat episkopate italiane dhe rrjeti i donatorëve të komunitetit Sant’Edigio. Vlera e projektit është rreth 1 milion euro. Pas ndërtimit, godina do të kalojë në pronësi të palës shqiptare dhe do të menaxhohet bashkërisht për 20 vjet. Dy shtëpitë e mbrojtura do të presin 16 persona, që aktualisht jetojnë në repartin e pacientëve kronikë në shërbimin universitar të Psikiatrisë në Tiranë, me të cilët komuniteti Sant‘Edigio është i familjarizuar prej 15 vitesh. Ndërtesa do të ndërtohet në një terren, i dhënë komunitetit Sant’Edigio me Vendim të Këshillit të Ministrave, që ndodhet në zonën e QSUT-së. Projekti parashikohet të përfundojë brenda dy viteve nga nënshkrimi i marrëveshjes.
Muzeu i Shkencave, “humbja” e një simboli kulturor
Muzeu i Shkencave të Natyrës në Tiranë përbën një simbol kombëtar dhe funksionon si një objekt i rrallë për të gjithë të apasionuarit pas natyrës dhe për të huajt që vizitojnë Shqipërinë. Ndaj, dhe vendimi më i fundit i Gjykatës së Lartë, që godina e Muzeut të Shkencave të Natyrës t’u kthehet ish-pronarëve, vlerësohet nga përfaqësues të botës akademike si një humbje për kulturën shqiptare dhe shkencën e biologjisë.
“Gjykata po u kthen pronarëve një objekt për të cilin shteti ka kontribuar ndër vite”, - gjykon përgjegjësi i Muzeut të Shkencave të Natyrës, Ferdinand Bego, duke vënë në dukje se kontributi i shtetit nuk është marrë në konsideratë aq sa duhet nga ana e gjykatës. Sipas tij, vendimi më i mirë do të ishte që “ne të ishim bashkëpronarë me pronarët”. “Kjo, - shpjegon ai, - pasi shteti ka kontribuar në godinën ekzistuese me më shumë se 2/3 shtesa, që janë dy krahët anësorë dhe njëkohësisht pjesa dykatëshe nga mbrapa. Për më tepër, - vijoi Bego, - objekti ka ndryshuar më shumë se 60%, si pasojë, pronarët duhet të ishin kompensuar për pjesën që ata humbasin”.
Për përgjegjësin Bego, në muze është një fond mësimor i pazëvendësueshëm. “Nëse do të ekzekutohet vendimi i Gjykatës së Lartë, do të mungojnë laboratorët, ku studentët kanë zhvilluar dhe duhet të zhvillojnë praktikat e tyre profesionale”, - thotë ai, ndërsa shton se për këtë arsye ky muze ka qenë pjesë e universitetit për më shumë se 40 vjet. Madje vetë muzeu është më i vjetër se Universiteti i Tiranës, pasi ai u krijua në vitin 1947.
Këshilltari për arsimin i Kryeministrit, prof. dr. Myqerem Tafaj, tha: “Vendimi i marrë është i papëlqyer për botën akademike, edhe pse çështjet e pronësisë janë çështje pronësie”. “Muzeu i Fakultetit të Shkencave Natyrore të Universitetit të Tiranës, - pohon z. Tafaj, - zinte një vend të posaçëm në planin e qeverisë. Vetëm për rikonstruksionin e muzeut qeveria kishte planifikuar një fond të konsiderueshëm prej 300 mijë dollarësh”, - tha ai, duke theksuar se ky muze është vlerësuar si objekt i një rëndësie të veçantë dhe ka shërbyer për zhvillimin e orëve mësimore të studentëve të Fakultetit të Shkencave Natyrore.