Përtej mureve të ngurta
Nga Zamir Gjurgji
Takimi i pak ditëve më parë i Kryeministrit grek, Karamanlis, me homologun e tij shqiptar, Berisha - i mbajtur në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit - ka zënë në befasi të majtët shqiptarë si dhe ka nxjerrë në pah cinizmin dhe farsitetin karakteristik të tyre, për të qenë gjithmonë të privilegjuarit e Athinës zyrtare. Nëse opozita shqiptare do të ishte vazhdimisht zëdhënëse e fateve të kombit shqiptar, kjo vizitë do të përbënte me të vërtetë një objekt diskutimi publik e politik për të analizuar favoret dhe disfavoret kombëtare, në prag të integrimit të vendit në Evropë. Por ja që fatkeqësisht nuk ndodh kështu. Të majtët progresistë po ulërijnë, po vënë kujën e piskamën, vetëm se të djathtët shqiptarë dhe ata grekë e shohin tashmë me vend të kalojnë në periudhë armëpushimi diplomatik, pas një periudhe të gjatë "lufte të ftohtë" politike e diplomatike. Tamam, sikur të kishin parasysh shprehjen popullore shqiptare: "Qeni i keq e sjell ujkun në vathë".
Qysh në gjenezën e saj, e majta shqiptare është shquar për demagogji dhe paaftësi në mbrojtje të interesave kombëtare. Edhe pse ngrinte me të madhe çështjen e "Shën Naumit", hallin e saj më të madh e kishte tek lidhja me Rusinë e Leninit, duke pasur si qëllim "vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe miqësore mes popullit rus dhe atij shqiptar". Kryengritja e Fierit dhe të tjerat ishin pjesë integrale të revolucionit të qershorit, kishin në thelb të tyre mbështetjet politike e financiare nga grupime e qarqe të huaja shoviniste, me qëllime aneksuese ndaj Shqipërisë.
Në fillimvitet ‘40, të majtët shqiptarë bashkëpunuan hapur e ngushtë me atë eamistët e majtë grekë, deri aty sa prisnin kokat e nacionalistëve shqiptarë e më pas i përdornin si top futbolli, vetëm e vetëm se këta të fundit donin më shumë Shqipërinë sesa ideologjinë. Në periudhën ‘44-‘90, kreu i gjithë pushteteve në Shqipëri, Enver Hoxha, në librat e tij programatikë u thurte elozhe "dy popujve miq", si dhe hidhte hapin më të rrezikshëm ndaj çështjes kombëtare. Dhënia me dhunë e shtetësisë shqiptare refugjatëve çamë të shpërngulur forcërisht nga trojet e tyre etnike bëri që këta të humbnin të drejtën e shtetësisë greke (nëse ky akt i tillë do të kishte ndodhur me kosovarët, sot nuk do të flitej për Kosovë, shtet dhe të pavarur). Ky veprim antishqiptar i asokohshëm, sot vështirëson së tepërmi - pa përmendur këtu (in)ekzistencën e ligjit të luftës - ndërmarrjen e të gjitha hapave ligjorë mbështetur në legjislacionin evropian për të fituar të drejtat që t'i njeh e mbron "e drejta ndërkombëtare".
Në mars të vitit 1997, ishin qarqet ekstremiste të së majtës shqiptare, që në bashkëpunim organik me ato ekstremiste të së majtës greke të PASOK-ut që qeveriste Greqinë, dogjën, plaçkitën e grabitën, vranë e masakruan popullatën shqiptare. Si për koincidencë, në vitin 2009 janë qarqet ekstremiste të së majtës greke ato që për katër muaj në radhë, po djegin banka, po u vënë zjarrin makinave të të huajve, po hedhin bomba “Molotov” ndaj forcave të rendit, si dhe po hedhin shashka në rrethinat e ambasadave të huaja. Pas vitit '97, ishin të majtët "progresistë" shqiptarë, ata që problemin çam e kishin "kafshatë që s'kapërdihej", që Yzberishin e kishin tjetërsuar, që rërën e shqiptarëve e çonin në dhe të huaj, që e kërcenin “Karagunën” në truall shqiptar, që "buzukun" e kishin gjuhë diplomatike dhe as që u shkonte ndërmend të trajtonin me përgjegjshmërinë e duhur problemin çam dhe të drejtat e tyre pronësore në Greqi.
Ndërsa tani që kanë rënë nga pushteti, të majtët e rinovuar shqiptarë "i bien nga Kina" për të shprehur patriotizmin e tyre verbal e të munguar në kohë. Rreken të hedhin baltë mbi marrëveshjen e shelfit kontinental, si dhe të hiqen më historianë e patriotë. Ndërkohë që hapësirat mbiujore dhe tokësore, i kanë shkelur kokë e këmbë në dëm të shqiptarëve dhe në dobi të të huajve. Kësisoj, kërkojnë të gjejnë gjilpërën në kashtë, vetëm se nuk janë "ata" që begenisen më si afendikonj, në tryezën prej mogani të zi të rangut diplomatik.
Ashtu si korbat mbi mermer të Kadaresë, të majtët "e rinj" përpiqen ta trajtojnë vizitën e z. Karamanlis si një vizitë që nuk duhej të kryhej në prag të fushatës elektorale, si "një gjest i pazakontë, krejtësisht joprotokollar dhe turbullues, për sinjalet e hapura dhe të fshehura që dha. Vështirë, për shembull, që Obama ose dikush tjetër nga liderët e tjerë botërorë, do të zbrisnin në Athinë pak javë para mbajtjes së zgjedhjeve". Ndërkohë që liderët botërorë si Nicolas Sarkozy, Jose Luis Zapatero dhe Mariano Rahoi, ashtu dhe Silvio Berlusconi, nuk i kanë kursyer vizitat e tyre në vendet respektive, edhe pse qershori është muaj zgjedhjesh për Parlamentin Evropian. Ndërsa Obama pritet të vizitojë Francën "për përvjetorin e Normandisë" edhe pse e di fort mirë se në Evropë ka zgjedhje në muajin e qershive.
Përfundimisht, të mbetur si peshku pa ujë për çështjen e kartave të identitetit, për integrimin e Shqipërisë në NATO, për mungesën e krizës financiare në vend, për mungesën e krizës energjitike, për aplikimin në BE, si dhe liberalizimin e vizave të shqiptarëve - të mbështetur kryesisht nga diplomacia italiane e Frattini-t, të majtët e "rinj" u orvatën dëshpërimisht të kapen si "te fija e barit" te aleati i tyre i deridjeshëm, Athina zyrtare. Ndërsa vizita e z. Karamanlis tregoi se si “incidentet juridike” ashtu edhe "dadot" e Rama-Velisë, nuk vlejnë më as për "casus beli" dhe as për "jus beli". Sot e mbrapa, politika qeveritare shqiptare dhe ajo greke nuk janë më kundërshtare "për vdekje". Ato mbeten thjesht rivale të natyrshme për progres rajonal e më gjerë. Por, kësaj radhe, përpara se të luajnë gurët "e bardhë e të zinj" në skakierën e politikës e diplomacisë, kanë vendosur fillimisht rregullat e lojës. Dhe kjo nuk është aspak pak, gjë që më sjell ndërmend shprehjen diplomatike të një politikani të një partie tradicionale, që i drejtohej gati një dekadë më parë me këto fjalë kreut aktual të legjislativit shqiptar: "Kafet i pimë bashkë, por cigaret veç e veç..."