Kodi i nderit

Një prej gjërave me të cilën shqiptarët duhet të jenë krenarë është shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Edhepse duhet të mburren me këtë akt, ata nuk kanë bërë edhe aq shumë për t’ia bërë me dije botës se Shqipëria është i vetmi vend ku nuk është vrarë asnjë hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Përkundrazi, janë vetë hebrenjtë që po angazhohen më shumë rreth kësaj. Fotografi i njohur hebre Norman Gershman, përmes fotografive të tij të bëra në Shqipëri, vazhdon të prezantojë Besën shqiptare në vende të ndryshme të botës. Para pak ditësh, një ekspozitë me fotografi të tij u hap edhe në Calgary të Kanadasë.
Siç njoftojnë mediat kanadeze, në përkujtim të Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës së Holokaustit, Federata Hebreje e Calgary-t, në bashkëpunim me Shoqatën Kanadeze të Yad Vashem, ka hapur ekspozitën ‘Besa: A Code of Honor - Muslim Albanians who Rescued Jews During the Holocaust’ (Besa: Kodi i nderit –shqiptarët myslimanë që shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit).
Kjo ekspozitë e fotografisë është hapur të premten dhe do të mbesë e hapur deri më 11 shkurt në Qendrën e Komunitetit Hebre në Calgary.
“Jemi shumë të kënaqur të ndajmë këtë ekspozitë frymëzuese dhe vizualisht të mahnitshme”, tha me këtë rast Adam Singer, president i Calgary Jewish Federation.
“Historikisht, ka pasur shumë shembuj të hebrenjve dhe myslimanëve duke jetuar së bashku si fqinj dhe si miq. Të 17 myslimanët shqiptarë të paraqitur në ekspozitë janë në mesin e 63-ve që janë njohur nga shteti i Izraelit si Të ndershmit në mesin e kombeve. Akti i guximshëm i të gjithë shpëtimtarëve, i zbatuar nën rrethana të rrezikshme, ka vendosur një shembull prekës. Ne dëshirojmë ta nxjerrim mesazhin në atë mënyrë që secili prej nesh ka potencial të rivalizojë humanizmin dhe trimërinë e shfaqur nga fotografi i njohur Norman Gershman në ekspozitën ‘Besa’”, ka shtuar ai.
Kjo ekspozitë është bërë e mundur nëpërmjet granteve nga Fondacioni i Calgary-t dhe Citizenship and Immigration Canada.
Singer tha se Besa nënkupton ‘të mbash premtimin’, duke marrë përgjegjësinë për të tjerët, në veçanti kur jeta e tyre është në rrezik.
Rreth 24 mijë persona nga e tërë bota janë shpallur Të ndershëm në mesin e kombeve nga Yad Vashem, qendra botërore e Izraelit për kërkime të Holokaustit, dokumentimit, edukimit dhe përkujtimit.
“Një mesazh, me sa duket, është që Holokausti ka ndodhur dhe është njohur nga Kombet e Bashkuara”, tha Singer. “Është e rëndësishme të mbahet në mend derisa vitet kalojnë dhe Lufta e Dytë Botërore bëhet më e largët në kohë, ne humbim, natyrisht, të dhënat e dorës së parë. Të mbijetuarit po vdesin dhe në njëfarë mënyrë nuk do të jenë më bashkë me ne. Dhe ka një tendencë që të mos mbahen mend gjera si Holokausti. Kjo është një dëshirë natyrore dhe madje njerëzore që të mos mendosh rreth gjerave të këqija që kanë ndodhur në të kaluarën”.
“Prandaj, është vendimtare që të marrim hapa konkretë të sigurohemi që ka një kujtesë kolektive të asaj që ka ndodhur”.
“Gjeja tjetër është që këtyre ditëve duket sikur ka një rrëfenjë që hebrenjtë dhe myslimanët janë armiq dhe kjo ekspozitë ndihmon të na kujtojë se kjo është vetëm një pjesë e vogël e rrëfenjës së vjetër shekullore në të cilën hebrenjtë dhe myslimanët nuk janë armiq, por në fakt janë fqinjë dhe miq dhe njerëz që e ndihmojnë njëri tjetrin”, tha Singer.
“Ekspozita si kjo na ndihmojnë të shfaqim vlerat që i lartësojmë në këtë shtet dhe rëndësinë e respektit për liritë themelore, pa marrë parasysh prapavijën apo religjionin e secilit”, ka thënë, në një komunikatë për media, Jason Kenney, ministri i Kanadasë për Shtetësi, Imigrim dhe Multikulturalizëm.
Ekspozita është e bazuar në veprën e fotografit amerikan Norman H. Gershman dhe kërkimin e tij për të treguar këtë histori të mrekullueshme.
Ekspozita e tij paraqet fotografi bardh e zi të shqiptarëve që mbajnë në duar fotografi familjare dhe shpërblime që nderojnë heroizmin e tyre.
Duke iu falënderuar Asociacionit të Miqësisë Shqiptaro-Izraelite Gershman ishte në gjendje t’u binte në gjurmë shumë shqiptarëve që kanë shpëtuar hebrenj nga nazistët.
Ai ka kaluar katër vjet në Shqipëri dhe ka takuar familjarë dhe heronj, i ka fotografuar ata dhe ka mësuar rreth operacioneve prekëse të shpëtimit.
Para Luftës së Dytë Botërore, kanë qenë vetëm 200 hebrenj në Shqipëri, e cila ka pasur një popullatë të përgjithshme prej 800 mijë banorëve.
Pas luftës, numri i hebrenjve ka qenë shumë më i madh pasi refugjatët hebrenj nga disa shtete europiane i kishin ikur persekutimit nazist dhe kishin kërkuar strehë në Shqipëri.
Gershman, i cili edhe vet është hebre, ka thënë se Mbreti Zog i shqiptarëve, i cili mbretëroi prej vitit 1928 deri më 1939, personalisht e kishte shpëtuar familjen Weizmann, e cila kishte ikur në Shqipëri pas masave energjike ndaj hebrenjve në Gjermani në vitin 1938.