E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodi i ri, si do votohet në zgjedhje

Nuk merren parasysh kërkesat e grevistëve. Anëtarët e komisionit kalojnë edhe dy kapitujt e fundit për sanksionet

“Votimi dy apo më shumë herë në të njëjtat zgjedhje dënohet me 3 muaj burg”

TIRANË- Greva e urisë e dhjetë deputetëve që janë ngujuar prej katër ditësh në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë nuk ka penguar komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore të miratojë dje draft-kodin e plotë të Kodit të ri Zgjedhor. Me konsensusin e të gjithë anëtarëve të pranishëm në mbledhje (Spartak Braho i LSI-së dhe Ndue Shpani i PDK-së nuk kanë marrë pjesë pasi janë në grevë urie) komisioni për reformën ka kaluar dhe dy kapitujt e fundit të projekt-kodit të ri që kanë të bëjnë me sanksionet dhe dispozitat kalimtare, si dhe i ka dhënë “OK” të gjithë draft-kodit integral nga neni 1 deri tek neni 183 i tij që përcakton afatin e hyrjes në fuqi të tij.

Sanksionet

Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, qofshin ato të përgjithshme apo lokale, për garën e ardhshme elektorale për të gjithë ata që do të shkelin dispozitat e këtij projekt- ligji parashikohen masa të forta ligjore administrative që fillojnë që nga gjobat e rënda në miliona lekë dhe deri tek heqja e lirisë. Në këtë mënyrë neni 167 i këtij kodi sanksionon përgjegjësinë penale dhe administrative për të gjithë anëtarët e komisioneve në të tre nivelet për të gjitha rastet e shkeljes së dispozitave të këtij kodi. Kështu, braktisja e detyrës pa shkaqe të ligjshme nga anëtarët e komisioneve zgjedhore, anëtarët e grupeve të numërimit dhe vëzhguesve përbën kundravajtje penale dhe dënohet me gjobë ose heqje lirie nga 6 muaj deri në dy vjet. Ndërkohë shkelja e parimeve të përgjithshme të përcaktuara në nenet 2,4 dhe 5 të këtij projekt-kodi dhe që ka të bëjnë me respektimin e të drejtës së votës, me emërimin dhe detyrat e nënpunësit si dhe ndalimin e përdorimit të forcës në proceset zgjedhore dhe kur shkelja e këtyre parimeve ka ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve dënohet me gjobë nga 100 deri në 500 mijë lekë. Gjoba vendoset nga titullari i institucionit përkatës dhe masa e saj përcaktohet në varësi të rrethanave të caktuara. Gjithashtu për herë të parë kodi parashikon dhe masa mjaft të rrepta për të gjithë ata individë apo shtetas shqiptar që do të tentojnë të votojnë më shumë se një herë. Kështu në nenin 168 të këtij projekt-kodi sanksionohet se votimi dy apo më shumë herë në të njëjtat zgjedhje përbënë kundravajtje penale dhe dënohet me gjobë ose heqje lirie deri në tre muaj.

Financimi

Në këtë projekt-kod janë ashpërsuar edhe masat penalizuese për të gjitha rastet e shkeljeve nga subjektet apo kandidatët përsa i përket financimit të fushatës. Shkelja e dispozitave për financimin e fushatës zgjedhore nga ana e përgjegjësit të financës së partisë politike, ndëshkohet me gjobë nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë. Mosbashkëpunimi me auditin e KQZ-së nga ana e subjektit zgjedhor dënohet me gjobë nga 1 deri në 2 milion lekë. Ndërkohë që refuzimi i kontrollit nga ana e subjektit të bërjes së auditit gjobitet me 2 milionë deri në pezullim të përfitimit nga financat e partive për pesë vjet. Ndërsa shkelja e kufirit maksimal të shpenzimeve nga subjekti zgjedhor ndëshkohet me një gjobë të barabartë me 10 për qind të vlerës mbi kufirin e lejuar të shpenzimit. Në këtë projekt parashikohen për herë të parë dhe gjoba për thyerjen e heshtjes elektorale jo vetëm për subjektet zgjedhore, por edhe për median e shkruar dhe vizive që e transmeton atë. Kështu parashikohet që botuesi ose operatori televiziv që thyen heshtjen zgjedhore gjobitet me 2 milion lekë të reja.

Kuvendi 30 ditë nga data e dekretimit të këtij Kodi, zgjedh anëtarët e rinj të KQZ-së.Dokumentet për të votuar, kartat dhe pasaportat 

TIRANË- Jo të gjitha afatet ligjore që përcakton Kodi i ri Zgjedhor do të jenë të zbatueshme për zgjedhjet e ardhshme parlamentare që pritet të mbahen në muajin qershor. Kjo për shkak se ky draft-kod që pritet të kthehet në ligjin e ri zgjedhor me miratimin në ditët e ardhshme në seancë plenare parashikon afate të paarritshme kohore për zgjedhjet e ardhshme. Për këtë arsye komisioni parlamentar për reformën zgjedhore ka parashikuar një sërë dispozitash kalimtare apo transitore vetëm për garën e ardhshme elektorale. Njëra prej tyre është edhe përcaktimi në këtë kod i lejimit të votimit të qytetarëve me të drejtë vote edhe me pasaportat aktuale. Në këtë mënyrë në pamundësi për të realizuar pajisjen e të gjithë qytetarëve me të drejtë vote me karta identiteti brenda qershorit të ardhshëm, hartuesit e këtij kodi kanë parashikuar që të lejojnë nëpërmjet një neni të veçantë lejimin e përdorimit nga zgjedhësit të pasaportës si mjet identifikimi gjatë paraqitjes në qendrën e votimit. Sipas nenit 177 të këtij drafti përcaktohet se për zgjedhjet e Kuvendit të vitit 2009, zgjedhësit do të votojnë edhe me pasaporta të vlefshme të lëshuara sipas ligjit në fuqi. Ndërkohë që ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore që bëjnë të mundur pajisjen me përparësi me karta identiteti të zgjedhësve që nuk disponojnë pasaporta të vlefshme. Me anë të këtij neni sanksionohet detyrimi ligjor për të gjitha komisionet që do të merren me pajisjen e qytetarëve me karta identiteti që të marrin në pyetje të gjithë aplikuesit për kartë nëse zotërojnë një pasaportë të vlefshme ose jo. Ndërkohë që ngarkohet Ministria e brendshme që të informojë të paktën një herë në muaj KQZ-në në lidhje me ecurinë e procesit të pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. Me anë të këtij draft-kodi përjashtohet mundësia e përdorimit të certifikatave si mjet identifikimi përpara qendrave të votimit. Një tjetër nen i përfshirë në dispozitat kalimtare ka të bëjë me vendosjen e afateve të posaçme kohore për zëvendësimin dhe zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kështu, Kuvendi 30 ditë nga data e dekretimit të këtij Kodi, zgjedh anëtarët e rinj të KQZ-së, ndërkohë që betimi i tyre duhet të bëhet brenda 24 orëshit të ardhshëm. Ndërsa për anëtarët aktual të KQZ-së që do ju ndërpritet mandati do të qëndrojnë në punë deri në zëvendësimin e tyre me anëtarët e rinj, por kundrejt një sërë favoresh financiare. Anëtarët e liruar nga detyra përfitojnë pagën e funksionit të anëtarit të KQZ-së deri në përfundim të mandatit të tij sipas ligjit që ai është zgjedhur, por jo për një kohë më shumë se tre vjet. Gjithashtu ai ka të drejtën të kthehet në vendin e mëparshëm të punës ose emërohet në një vend ekuivalent me të. Një tjetër dispozitë kalimtare është edhe ajo që përcakton se ndarja e zonave të administrimit të zgjedhjeve do të jenë të vlefshme vetëm për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Përfundimisht KQZ dhe të gjitha nivelet e komisioneve do të kenë 7 anëtarë

Kodi, ja përbërja e komisioneve zgjedhore

TIRANË- Komisioni i posaçëm parlamentar i reformës zgjedhore me miratimin e draft-kodit të ri elektoral i ka dhënë fund dje edhe debatit mbi përbërjen e komisioneve të administrimit të votës në të tre nivelet. Pavarësisht kundërshtive të deputetëve grevistë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Komisionet e Qendrave të Votimit dhe Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor do të kenë nga shtatë anëtarë, ku natyrisht do të ruhet balancimi i detyruar politikë. Komisioni ka miratuar gjatë mbledhjes së djeshme projekt-kodin integral pa asnjë ndryshim në kreun 1 dhe 2 të tij, krerë të cilët bëjnë dhe përcaktimin e formulës së kompozimit dhe përbërjes së këtyre komisioneve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë merr një status të ri juridik pasi do të krijohet në bazë të një ligji të veçantë organik dhe jo më me Kushtetutë, ndërsa nuk do të ketë më 9 por 7 anëtarë të cilët do të zgjidhen me një mandat kohorë prej 4 vjetësh. Dy anëtare do të propozohen nga partia më e madhe e mazhorancës dhe dy anëtarë nga partia më e madhe e opozitës. Subjektet propozuese në fazën e përzgjedhjes paraqesin jo më pak se dy kandidatura për secilën vakante. Kryetarët e grupeve parlamentare të subjekteve propozuese përzgjedhin kolegjialisht 4 kandidatura, ku dy prej të cilave duhet të jenë femra. Anëtari i pestë i KQZ-së zgjidhet nga kandidaturat e propozuara nga grupime deputetësh të partive të mazhorancës qeverisëse, përjashtuar partinë më të madhe të këtij spektri. Anëtari i gjashtë zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të opozitës, përjashtuar partinë më të madhe të opozitës. Grupimi propozues paraqet një listë me jo më pak se dy kandidatura për vakancat përkatëse. Kuvendit i paraqitet për votim lista e kandidatëve që ka siguruar numrin më të madh të nënshkrimeve mbështetëse të deputetëve të grupeve respektove parlamentare të mazhorancës dhe opozitës. Votimi për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ-së zgjidhet brenda një dite nga Kuvendi. Anëtari i shtatë i KQZ-së dhe njëkohësisht kryetari i saj propozohet nga grupimi parlamentar i partisë më të madhe të mazhorancës, i cili paraqet një listë me jo më pak se katër kandidatura. Grupi parlamentar i partisë më të madhe të opozitës përzgjedh dy prej kandidaturave të paraqitura të cilat i kalojnë për votim Kuvendit. Kryetari i KQZ zgjidhet me shumë të thjeshtë votash. Ndërkohë që si një mënyrë balancimi politikë opozitës i lihet të zgjedhë nënkryetarin e KQZ-së, i cili zgjidhet nga anëtarët e tjerë të këtij institucioni. Ruajtja e balancës politike synohet të behet në vendimmarrje ku asnjë vendim i KQZ-së nuk do të ketë vlerë ligjore nëse ajo nuk nënshkruhet nga nënkryetari që i përket opozitës. Ndërkohë që përcaktohet edhe mekanizmi i votës së cilësuar ku për një akt normativ do të quhet i vlefshëm në rast se merr 5 vota pro. Edhe Komisionet e Zonave të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ), të cilat do të jenë afërsisht 70 do të përbëhen nga 7 anëtarë, të zgjedhur sipas një formule ku PS dhe PD do të kenë nga dy anëtarë. Anëtari i pestë do të propozohet nga partia e dytë e spektrit të djathtë dhe anëtari i gjashtë nga partia e dytë e spektrit të majtë. Ndërsa anëtari i shtatë do të zgjidhet në gjysmat e KZAZ-ve me propozim të partisë më të madhe të mazhorancës dhe në gjysmat e tjera me propozim të partisë më të madhe të opozitës. E njëjta përbërje dhe formulë kompozimi do të jetë edhe për Komisionet e Qendrave të Votimit. Ndërsa grupet e numërimit do të përbëhen nga katër anëtarë, ku një do ta ketë PD, një PS dhe nga një anëtarë do ta ketë njëra nga partitë vogla të secilit spektër të përcaktuar me short.

Pikat kryesore të draft-kodit

KQZ ka 7 anëtarë të cilët do të zgjidhen me një mandat kohorë prej 4 vjetësh.

KQZ formatohet sipas formulës 2 anëtarë PD, 2 anëtarë PS, 1 anëtarë nga forcat e vogla të spektrit të djathtë, 1 nga forcat e vogla të spektrit të majtë. Kryetari do ti përkasë PD-së, nënkryetari PS-së.

KZAZ ka 7 anëtarë që do të zgjidhen sipas formulës 2 nga PD, 2 nga PS, 1 nga partia e dytë e spektrit të djathtë dhe 1 nga partia e dytë e spektrit të majtë. Kryetari me short mes PD-së dhe PS-së.

KQV ka 7 anëtarë që do të zgjidhen sipas formulës 2 nga PD, 2 nga PS, 1 nga partia e dytë e spektrit të djathtë dhe 1 nga partia e dytë e spektrit të majtë. Kryetari me short mes PD-së dhe PS-së.

Dy ose më shumë parti politike mund të garojnë sëbashku në një koalicion zgjedhor duke paraqitur domosdoshmërisht secila listën e vet shumëemërore të kandidatëve për deputetë.

Partitë politike parlamentare që kanë jo më pak se dy mandate ne Kuvend përfitojnë 50 për qind të fondit publik të KQZ-së sipas peshës që secila forcë politike ka regjistruar gjatë zgjedhjeve pararendëse.

50 për qind e fondit të mbetur ndahet midis të gjitha partive parlamentare

Një subjekt zgjedhor mund të pranojë donacione jopublike, por jo më shumë se 1 milionë lekë të reja nga secili prej tyre.

Ndalohen donacionet nga shtetas të huaj

Një kryetar partie mund të kandidoj në disa zona zgjedhore, me të drejtën që të shpallet fitues në zonën që ka më shumë mandate.

Ankimi do të bëhet përsëri në dy nivele, në atë administrativ (KQZ) dhe atë gjyqësor (Kolegji Zgjedhor)

Votimi më shumë se një herë konsiderohet kundravajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me heqje lirie deri në 3 muaj

TIRANË- Miratimi nga ana e komisionit të reformës zgjedhore të projekt-kodit të ri Elektoral i ka hapur rrugë kalimit të tij për votim në seancë plenare. Burime pranë komisionit kanë bërë të ditur dje se tashmë pritet vetëm mbledhja e Konferencës së kryetarëve për përcaktimin e datës se kur do të mbahet diskutimi dhe votimi për projekt-kodin e ri zgjedhor, pa qenë e nevojshme kalimi për shqyrtim më parë në Komisionin parlamentar të Ligjeve. Ndërkohë bashkëkryetari socialistë i komisionit të reformës, Fatmir Xhafaj ka deklaruar dje pas mbledhjes se komisioni ka përfunduar punën e tij dhe se tashmë çdo gjë është në dorë të seancës plenare. “Sot (dje) ishte mbledhja përfundimtare siç ishte bërë e njohur dhe publikisht për të kaluar tekstin integral të Kodit të ri Zgjedhor. Komisioni në këtë mbledhje pasi shqyrtoi dhe çështjet e mbetura pezull bëri dhe miratimin përfundimtar dhe do t’i kalojw shumë shpejtë dhe seancës plenare për shqyrtim, diskutim dhe miratim”, - tha Xhafaj. Ai ka vlerësuar të rejat që sjell ky kod sidomos në aspektin e aplikimit të një sistemi të ri zgjedhor siç është ai proporcional rajonal, apo edhe mënyra e administrimit të procesit të numërimit të zgjedhjeve. “Ka element të rëndësishëm dhe vetia e parë dhe kryesore ka të bëj me sistemin, me ndryshimin e sistemit. Nuk kemi më një sistem mazhoritar por një sistem proporcional rajonal. Së dyti ka të bëj me administrimin me thjeshtëzimin e administrimit të procesit. Së treti ka të bëj me numërimin dhe është një nga elementët e rëndësishëm si dhe jeni njohur për shkak ashtu si dhe jeni njohur për një transparencë të gjerë që siguron ky ndryshim që kemi bërë për shkak të futjes së teknologjisë në procesin e numërimit si edhe në procesin e ankimimit edhe një serë procesesh të tjerë siç janë financimi dhe media, tek të cilat janë bërë thjeshtësime të rëndësishme të Kodit”, - theksoi Xhafaj duke iu shmangur pyetjeve lidhur me grevën e urisë që po zhvillojnë dhjwtë deputetë në lidhje pikërisht me këtë projekt-kod.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›