E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo, padi në prokurori per 10 drejtorë spitalesh

Tiranë-Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo do të çojë në bankën e të akuzarve 10 drejtorë spitalesh. Këtë e ka bërë të ditur sot Sekretarja e Përgjithshme e dikasterit të Shëndetësisë, Gerta Picari. Ajo është shprehur se një grup auditi i ministrisë ka konstatuar shkelje në këto institucione.

Sipas Picarit drejtorët e spitaleve në rrethe bashkë me financierët e tyre kanë kryer shkelje të rënda në punë. “Janë shkelje të ndryshme të kryera nga spitalet e rretheve, si shkelje të ligjit për procedurat e tenderimeve, për buxhetin, që do të thotë devijime të fondeve në adresa te tjera, shkelje ne rekrutimin e punonjesve dhe shkelje financiare e deme ekonomike”, u shreh ajo.

Sekretarja e Përgjithshme e Shëndetësisë, Picari ka hezituar të përmend emra të drejtorëve të paditur, pasi sipas saj pengohen hetimet. Ndërsa deklaron se padia është thuajse e njëjtë për të gjithë “shkelje të ligjit dhe vendimeve zyrtare”.

Ndërkohë mësohet se grupi i kontrollit i ministrisë është ende nëpër rrethe ku po ushtron kontroll të detajuar mbi dokumentacionin e këtyre spitaleve. Në fund ky kontroll do të përqendrohet në Tirënë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Ministrja e Shëndetësisë Anila Godo, që prej emërimit të saj në këtë detyrë në muajin korrik ka deklaruar se ka gjetur mjaft abuzime me fondet në dikasterin që drejton, duke sulmuar kështu paraardhësin e saj, Nard Ndoka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›