E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodra: Politika për integrimin e romëve në shoqëri

Viti 2010, do të jetë faza më e rëndësishme e implementimit të dekadës së romeve, një dokument tashmë i miratuar nga qeveria shqiptare. Arsimi,  përfitimi i shërbimeve shëndetësore, strehimi dhe integrimi i këtij komuniteti në fusha të tjera, janë prioritet kryesore të këtij dokumenti. Kështu është shprehur zv. ministrja e Punësë Filloreta Kodra për median. Sipas saj regjistrimi i këtij komuniteti mbetet ende problem, ndërkohë që për arsimimin e fëmijëve

 romë janë krijuar lehtësira. Duke qenë një aktivitet politik ajo ka trajtuar në mënyrë të përgjithshme të gjitha problemet me të cilat përballet komuniteti rom duke filluar qe nga arsimimi, kushtet e jetesës, shëndeti, punësimi si dhe përfshirja dhe integrimi social i gjithë kësaj kategorie. Ka pasur probleme me regjistrimin dhe për shkak se ky komunitet nuk rezulton i regjistruar në një komunitet të caktuar mund të këtë pasur probleme me regjistrimin e fëmijëve në shkollë. Ministria e Arsimit ka marrë masa që prej disa vitesh edhe pa certifikatë të lindjes fëmijët e këtij komuniteti mund të rregjistrohen dhe të vazhdojnë shkollën kudo që ata jetojnë, tha Kodra. Ajo deklaron se janë hartuar politika të veçanta për fëmijët romë, për të luftuar trafikimin apo dhe abuzimet që bëhen me këta fëmijë , duke i shtuar në radhët e punës informale. Janë kryesisht fëmijët e këtij komuniteti të cilët nxirren në rrugë, edhe trafikohen. Për shmangien e këtyre fenomeneve ne kemi projekte të veçanta kryesisht me fëmijët romë të tilla si hapja e kopshteve, hapja e qendrave profesionale për trajnimin e fëmijëve të këtij komuniteti në mënyrë që këta të bëhen të aftë për të hyrë në tregun e punës, pohoi Kodra. Buxheti në total për planin e veprimit kap shifrën e 2 miliard e 498 milionëve ndërkohë që çdo vit buxheti për projektet specifike shkon në 417 milionë lekë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›