BERZH, 50 milion euro për ndërtimin e rrugëve dytësore dhe lokale
Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH) do të financojë me një shumë prej 50 milionë eurosh programin Rrugët dytësore dhe lokale në Shqipëri. Kredia në fjalë është pjesë e një projekti të koordinuar prej 137 milionë eurosh që do të mbështesin projektin e qeverise Shqiptare, i cili është në zbatim që prej vitit 2008. Projekti do të jetë bashkëfinancim me një tjetër kredi nga Banka Evropiane e Investimeve me po 50 milion euro dhe me grante
të Bashkimit Evropian nga IPA 2010 e 2011 me shumën prej 33 milion eurosh. Ndërkaq, një grant prej 4 milion eurosh nga Uestern Balkan Investment Frameuork do të mbulojë kosto të tjera të lidhura me projektin si projektim-supervizion, asistencë teknike etj. Rreth 650 km rrugë dytësore e lokale parashikohet të rindërtohen nga ky projekt gjatë 5 viteve të ardhshme. Projekti Përmirësimi i Rrugëve Dytësore dhe Lokale është një bashkëfinancim i Bankës Botërore dhe donatoreve të tjerë e po realizohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me një vlerë të përafërt prej 400 milion USD.