‘Mëkati’ i presidentit të ri
_385700.jpg)
Një ''Martesë e Egër'' në Pallatin Bellevue ende nuk ka ndodhur në historinë e Gjermanisë. Për më tepër kjo gjë nuk po i pëlqen as shumëkujt në partinë ultra-konservatore bavareze CSU (Unioni Kristiano-Social), që është parti simotër e Unionit Kristiano-Demokrat (CDU) të kancelares Angela Merkel.
Për këtë arsye bavarezët i propozuan shefit të ri të shtetit gjerman që paraprakisht të rregullojë raportet personale, ose, thënë shkurt, që të martohet zyrtarisht.
''Do të ishte edhe në interesin e vetë Gauck që raportet e veta personale t’i rregullojë sa më parë, për të mos lënë asnjë hapësirë ‘për sulme’”,deklaroi për mediat gjermane eksperti për politika familjare i CSU dhe deputeti federal, Norbert Geis.
Jeta private politikanëve aktual gjermanë, por edhe atyre që nuk janë më nëpër postet kryesore të shtetit, ose e atyre që ende presin se do të bëhen të tillë në të ardhmen, sigurisht se nxisin vëmendjen e madhe të opinionit publik. Së këndejmi, edhe jeta e Gauck që tani është vënë ‘nën llupë’.
Gauck, një ish-luftëtar i njohur për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në DDR (ish-Gjermaninë Lindore), pastori karizmatik evangjelist nga Rostok dhe zyrtari i dikurshëm fuqiplotë i qeverisë për çështjen e dokumentacionit të Stazi (shërbimi sekret i DDR), me të cilin fundjavën e kaluar kancelarja Merkel arriti një marrëveshje që ai të jetë president i ardhshëm i Gjermanisë, tash e 12 vjet jeton bashkë me gazetaren, Daniela Schadt, e cila kryesisht merret me gazetari politike.
Sipas medieve gjermane, Gauck ende nuk është i ndarë nga gruaja e tij e parë, ndërkohë që lidhje e tij me gazetaren Schadt, e cila jeton në Nurenberg, ka karakterin e një ‘lidhjeje të fundjavës’, për shkak dy partnerët e punësuar kryesisht arrijnë të takohen gjatë fundjavave.
Gauck (72) dhe partnerja e tij njëzet vjet më e re, Daniela, ka vite që jetojnë ‘ndërmjet” Berlinit dhe Nurenbergut, pa unazë martese, edhe pse njohësit e rrethanave pohojnë se çifti është shumë i lumtur.
Sipas shtypit gjerman, në pallatin presidencial Gauck do të akomodohet së bashku me mikeshën e tij Schadt, ndërkohë që kur bëhet fjalë për lidhjen e tyre, presidenti i ri gjerman qysh para dy viteve – derisa ishte kundërkandidat presidencial i Christian Wulff - kishte përjashtuar mundësinë e një martese të shpejtë. Ky i fundit ka filluar të harrohet shpejt si politikan dhe si ish-president i shtetit, menjëherë pas akuzave të rënda se kishte krijuar përfitime materiale nga marrje me politikë.
Mirëpo, si një diplomat Gauck asokohe e kishte lënë “derën hapur”, duke thënë se nuk e përjashtonte plotësisht mundësinë e një martese të mëvonshme.
Fundjavën e kaluar, kur kancelarie Merkel e prezantoi zyrtarisht si kandidat të ardhshëm presidencial, sërish filluan spekulimet për martesën e Gauck me Schadt, kurse mediat gjermane kanë apostrofuar se ai paraprakisht duhet të shkurorëzohet nga nëna e katër fëmijëve të tij, me të cilën nuk jeton bashkë që nga viti 1991.
Për zonjën e parë të ardhshme, gazetaren e ‘Nurenberg Zeitung’, thuhet se është një grua e mençur, që udhëheq me resorin e politikës së brendshme.
Edhe me rastin e kandidaturës së parë presidenciale të Gauck, para dy viteve, Schadt ishte angazhuar në fushatë. Ajo, madje, kishte marrë një pushim të zgjatur dhe, siç thuhet, mossuksesin e partnerit të saj e kishte pranuar me buzëqeshje, e nga pak edhe me lehtësim.
Zonja e ardhshme e parë e Gjermanisë gëzon respekt edhe në gazetën ku punon, ku qysh tani mbretëron një “krenari e përzier me mallëngjim”, për shkak të humbjes “së një kolegeje kompetente dhe të këndshme”.
E lindur në Hessen, sykaltra Schadt njihet për nga komentet e saj analitike, bravurat gjuhësore dhe aftësinë për humor, e përshkruajnë kolegët e saj, përderisa shtypi gjerman përkujton se ajo me Gauck është njohur në Nurenberg, gjatë një takimi në të cilin kishte ardhur si gazetare.
''Zemra dhe mendja e tij kanë një balans, por ashtu që mendja mbetet paksa e shkurtër”, flet partnerja jetësore e shefit të ardhshëm të shtetit gjerman, me të cilin ndan dashurinë për futboll, dhe të cilit di si t’ia përgatis peshkun në salcë nga vera e bardhë dhe me qepë.
E mençur dhe ambicioze, por edhe përmbajtur kur duhet, zonja a ardhshme e parë gjermane duket e aftë që ta përballojë këtë rol. Mes tjerash edhe falë asaj se askush - si gazetare – nuk mund ta akuzojë për asgjë, krahasuar me zonjën Wulff.
Me sa duket politikanët ishin dhe vazhdojnë të mbesin “të dobët” ndaj gazetareve.
Ish-kancelari Gerhard Schroeder, i cili njihet për atë se gjithnjë ishte i rrethuar nga gra të reja e të bukura, është i martuar me Doris Schroeder-Kepf, një gazetare me profesion. As ish-ministri i Jashtëm gjerman, Joschka Fisher nuk ishte larg gazetareve. Edhe për Michelle, gruan gati 30 vjet më të re të ish-shefit të Partisë Socialdemokrate (SDP), Franz Muentefering, thuhet se dikur ishte gazetare.