E Diel, 1 Nëntor 2026

Pasuritë e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, shtëpi dhe makina

Shpresa Beçaj

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive zbardh pasuritë e vitit të kaluar për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Gjatë 12 muajve të fundit në këtë detyrë, disa nga anëtarët e kësaj gjykate kanë përfituar të ardhura nga pagat e shitjet e zyrave apo mbledhjet e qirave të apartamenteve. Kështu, Aleksandër Muskaj ka deklaruar mbylljen e një depozite te Alfa Bank në shumën 45 mijë euro.

Ai ka deklaruar se ka marrë një kredi te BKT në vlerën 12.8 milionë lekë më 10 gusht të vitit të kaluar, e cila është përdorur për blerjen e kredisë te BKT. Nga kjo kredi ai ka shlyer këste mujore për periudhën shtator-dhjetor në shumën 397 mijë lekë. Në të njëjtën kohë ai i ka shlyer detyrimin përfundimtar në shumën 17.688 euro firmës së ndërtimit Salltik për apartamentin e deklaruar më parë. Anëtari i kësaj gjykate, Andi Çeliku, ka shitur 28 m2 të një zyre në kryeqytet, nga e cila ka përfituar 52 mijë euro. Në vitin 2011 ai ka blerë një truall 123 m2 (toka ku ka banesën të deklaruar më parë) në Qerret, në shumën 137 mijë. Arjana Fullani, anëtare e Gjykatës së Lartë dhe bashkëshortja e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka deklaruar shtesë në llogarinë bankare në shumën 5.1 milionë lekë. Gjithashtu ajo ka pasur edhe pakësim në dy llogari në shumat 43 mijë lekë dhe 1515 euro. Në deklaratën e pasurisë rezulton se të ardhurat nga paga e guvernatorit për vitin e kaluar kanë qenë 6.3 milionë lekë, ndërsa honoraret nga Këshilli i Mbikëqyrjes së Bankës 2.7 milionë lekë.

Arjana Fullani ka vazhduar të shlyejë një kredi për apartament dhe gjatë vitit 2011 ka paguar 409 mijë lekë, ndërkohë që i mbeten ende pa shlyer edhe 9.8 milionë lekë. Gjyqtarja Evelina Qirjako ka blerë një garazh me sipërfaqe 24 m2, në shumën 20 mijë euro. Të ardhurat e saj nga paga për vitin 2011 ishin 1.6 milion lekë, ndërsa nga qiratë e pronave janë në shumën 53.881 euro dhe 935 mijë lekë. Ajo ka ende pa paguar një shumë prej 125 mijë eurosh nga një kontratë sipërmarrje me shoqërinë Al & Gl të deklaruar në vitin 2009. Gjyqtari Gani Dizdari ka paguar shumën 800 mijë lekë për firmën Lura për një apartament në Gjirin e Lalzit.

Nga shuma e përgjithshme 3.6 milionë lekë që ka kushtuar apartamenti, ai ka ende pa paguar edhe një milion lekë. Ndërsa kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, ka përfituar nga paga 2 milionë lekë, ndërkohë që ka ende pa shlyer edhe 3.9 milionë lekë nga një kredi për shtëpi që ka marrë në vitin 2005.             ADI SHKEMBI

(Lajmin e plote e lexoni ne numrin e sotem te gazetes Panorama)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›