E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koha për përfundimin e misionit të UNMIK-ut

 “Është koha që ky Këshill të konsiderojë përfundimin e misionit të UNMIK-ut në Kosovë,” citon RTK në një raport të sotshëm deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi në mbledhjen e fundit të 14 qershorit para fuqive botërore dhe anëtarëve rotativë të Këshillit të Sigurimit në New York.Kryeministri kosovar e arsyetoi këtë me marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke thënë se ajo ‘paraqet një moment të ri të rëndësishëm që Këshilli të miratojë një rezolutë të re që i jep fund mandatit të UNMIK-ut’. Ai tha se me këtë Këshilli i jep “mbështetje të dyja shteteve që të funksionojnë si fqinjë të pavarur dhe anëtarë me privilegje dhe përgjegjësi në shoqërinë ndërkombëtare”.

Për 14 vjet me radhë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka mbajtur afër 60 seanca për Kosovën, nja 56 të rregullta ku shqyrtohej raporti tremujor i Sekretarit të Përgjithshëm, ashtu siç obligohej me rezolutën 1244 dhe nja tre-katër të jashtëzakonshme që thirreshin nga vendet anëtare varësisht nga zhvillimet e jashtëzakonshme, ku një e tillë ishte shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt, 2008.

Idesë dhe thirrjes për përfundimin e mandatit vazhdon t’i kundërvihet fuqimisht Rusia, vend anëtar i përhershëm dhe me të drejt vetoje. “Federata Ruse e kundërshton zvogëlimin e forcës së UNMIK-ut. Përballë gjithë atyre problemeve prania e Misionit duhet të zgjerohet e jo të ngushtohet,” tha në po të njejtin takim ambasadori i Rusisë, Vitalij Churkin.

Njëjtë diskutoi edhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq i cili kërkoi ‘përmbushjen e mandatit me qëndrim neutral ndaj statusit, i cili nuk duhet të ndryshojë dhe duhet të zgjerohet’.

Vendet perëndimore në Këshillin e Sigurimit prej vitesh duan një rezolutë të re që do të njihte zhvillimet kapitale që kanë ndodhur në terren – e që është realiteti historik i pavarësisë së Kosovës. Nëse jo heqje të tërësishme të mandatit, të paktën një ndryshim këtu në New York, që takimet që nuk kanë sjellë ndonjë ndryshim në pesë vjetët e fundit, të rrallohen, të mbahen si takime vlerësuese, njëherë në vit apo njëherë në gjashtë muaj, e jo çdo tre muaj siç është tani./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›