Mjeko- ligjorët, pagesa deri në 3000 euro në muaj

Ekspertët mjeko-ligjorë, duke shfrytëzuar zbrazëtirat ligjore, kanë arritur të paguhen deri në tremijë euro vetëm me punën e ekspertit, me justifikimin se kanë punuar jashtë orarit, ndërkohë që brenda orarit zyrtar kanë kryer një punë tjetër. Alarmi është dhënë në Keshillin Prokurorial nga ministri Hajredin Kuçi, i cili ka kërkuar nga KPK-ja që ta disiplinojë këtë çështje.
“Puna e ekspertëve të mjekësisë ligjore jashtë orarit të tyre të punës mund të kompensohet për secilin rast veç e veç, nga gjykata e cika ka kërkuar ekspertimin mjeko-ligjor, me aktin e veçantë nënligjor të cilin e nxjerr Qeveria”. Është neni 15 i ligjit Nr. 03/ L-187 për mjekësinë ligjore, ku përcaktohet puna jashtë orarit dhe pjesëmarrja në seanca gjyqësore, e që e kanë shfrytëzuar ekspertët mjeko- ligjorë, shkruan Kosova sot.
“Seancat gjyqësore mbahen në orar pune dhe jo natën. Në raportin e punës të gjithë thonë se kanë punuar jashtë orarit. Po t’i pyesim njëherë se çfarë kanë bërë brenda orarit, se ku nuk është arsyetim”, ka thënë Kuçi.
“Vetëm në Prokurorinë Komunale të Prishtinës ka pasur ekspertë që kanë marrë edhe t remijë euro, ndërsa një prokuror vitet e kaluara merrte vetem 400 euro. Kemi parë raste banale ku disa eksperte kanë punuar vetëm 30 minuta dhe janë paguar sikur kanë punuar 24 orë”, ka thënë një nga prokurorët e Prishtinës./Indeksonline/