E Diel, 1 Nëntor 2026

Koha që qytetarët të shpenzojnë më shumë

Elton Leka/Pedagog

-Niveli i kredive të këqija ka shënuar shifra rekord që nuk ishin parë ndonjëherë në sistemin bankar shqiptar. Kreditë e këqija zënë 24.4 % të portofolit të kredive. Kjo është një rritje me 3.2 % në krahasim me tremujorin e dytë të vitit të kaluar. Bankat, të gjendura në këtë situatë, ku një pjesë e kapitalit të tyre është ngrirë apo e humbur prej kredive të këqija, kanë prirje të mos rrezikojë më, duke u shqetësuar më shumë si të mbajë pjesën tjetër të kapitalit të saj në formë sa më likuide dhe pa rrezik. Por kjo reflektohet te bizneset e reja në shumë mënyra pasi do të thotë që bankat janë më pak të prirura se zakonisht për të financuar investime që mund te jenë shumë fitimprurëse.

Bizneset e reja duke mos investuar nuk do të krijojnë vende pune të cilat do të zbusnin papunësinë në vend dhe do të rrisnin ekonominë. Rritja e kredive të këqija është tregues sesi një pjesë e mirë e bizneseve, të cilat kanë marrë hua, janë në prag ose kanë falimentuar. Një pjesë e kredive të këqija ka ardhur si rrjedhojë e investimeve të gabuara që bizneset kanë bërë. Pjesë e këtij gabimi janë dhe bankat të cilat kanë përgjegjësinë e tyre në vlerësimin jo të duhur të këtyre investimeve. Duke falimentuar, këto biznese rëndojnë ekonominë shqiptare duke lënë shumë njerëz pa punë. Gjithashtu një pjesë e e këtyre bizneseve duke fituar me pak nuk do të bëjnë investime për të ardhmen dhe ato të cilat kanë kredi në banka nuk do t’i paguajnë dot më detyrimet, pra do të rriten edhe më shumë kreditë e këqija.

Edhe bankat me rritjen e kredive të këqija shohin të ulen fitimet e saj, frikësohen duke mos injektuar më para në treg dhe si rrjedhojë detyrohen të shkurtojnë forcën punëtore të saj, duke rritur papunësinë dhe dobësuar edhe me tej ekonominë. Pra është një rreth vicioz që vepron në ekonomi. Kemi për të parë se si vazhdimi i politikave restriktive, të moskreditimit nga bankat, do të sjellë pasoja shumë të rënda në një të ardhme jo shumë të largët. Gjithashtu vërehet që bankat janë të ngopura me kursimet e qytetarëve, gjë që ka sjellë dhe një ulje të normave të interesit të depozitave. Duke qenë se bankat nuk po investojnë, tani depozitat janë kthyer në kosto për bankat. Meqenëse kursimet janë më të mëdha se vetë investimet në një vend, atëherë do të kemi rritje të papunësisë dhe rënie të çmimeve. Kjo është reflektuar si në uljen e inflacionit, ku në qershor ka qenë 1,6 %, një shifër shumë e ulët dhe e dëmshme për ekonominë, ashtu dhe në uljen e interesave të depozitave që e bën të paleverdishme investimin në to nga qytetarët kursimtare.

Shpresojmë që kjo situatë të detyrojë dhe të nxisë qytetarët kursimtarë, që të shohin mundësi të reja investimi të parave të tyre dhe jo t’i mbajnë në gjendje gjumi në depozita bankare. Duhet theksuar që ulja e çmimeve ka ardhur jo vetëm si pasojë e rënies së kërkesës agregate, por edhe si pasojë e politikave të gabuara të BSH-së dhe të sistemit bankar. Prandaj, duhet dhe kërkohet që sistemi bankar të jetë më optimist, të ulë normat e interesit, të rrisë kreditimin dhe të vlerësojë siç duhet situatën ekonomike dhe pasojat negative që ajo mund të shkaktojë. Por edhe nga qytetarët e këtij vendi kërkohet që të konsumojnë sa më shumë. Duke konsumuar dhe jo duke kursyer sa më shumë, ndihmojnë ekonominë të rritet. 


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›