Kohë për luftë parlamentare, jo protesta

Rinisja e protestave të rrugës si pjesë thelbësore e aksionit politik të Partisë Socialiste nuk është më një veprim i përshtatshëm apo i vlefshëm për arritjen e objektivave të saj. Ky është mendimi i Servet Pëllumbit, një nga figurat e njohura të historisë së PS, njëkohësisht protagonist i formulimit të mendimit politik të saj. Në një prononcim dje për gazetën “Shqip”, ai ka nënvizuar nevojën e ridimensionimit të politikës opozitare, kalimin nga spontaniteti në hartimin e një strategjie veprimi që nuk duhet të lejojë më që angazhimi parlamentar dhe mjetet që ai mundëson, si interpelancat apo debatet për çështje ditore, të mbeten në plan të dytë. “Unë i përmbahem thënies së Heraklitit, sipas së cilës ‘dy herë nuk kalon i njëjti ujë’. Protesta në turin e parë e bëri efektin e saj, ajo e mobilizoi opozitën, ndonëse unë kam pasur vërejtjet e mia për kohëzgjatjen e këtij aksioni. Tashmë opozita duhet ta tregojë veten në fushën e veprimit institucional. Kjo është e një rëndësie jetike për opozitën dhe vendin, pasi ka kaluar një vit dhe qeverisë nuk i është kërkuar asnjë llogari për qeverisjen. Nuk ka asnjë interpelancë apo seancë debati për probleme jetike ditore. Gjatë këtij viti, opozita duhej të shpaloste alternativën e vet politike dhe programore. Tani duhet që këtë gjë, opozita ta bëjë patjetër, duhet të rikthehet fuqishëm në kërkesat për interpelanca dhe transparencë qeverisjeje”, deklaroi Pëllumbi. Përqendrimi i energjive vetëm në një plan veprimi, sikurse protesta, përbën në gjykimin e dhënë nga politikani i njohur socialist, një lëshim ndaj qeverisë. Kjo e fundit, deri më tani, ka pasur privilegjin e drejtimit pa një oponencë konkrete dhe të specializuar për aktet e veta, duke krijuar kështu një boshllëk institucional. Për më shumë që rinisja e lëvizjes së rrugës, tanimë është edhe e pavend si gjetje taktike, ku opozitës i kërkohet një program qeverisës, që do të ndihmonte në perceptimin e saj si alternativë e vërtetë përkundrejt ekzekutivit të drejtuar nga Sali Berisha. Këtu qëndron rëndësia reale e studimit të opsioneve për ndërtimin e aksionit opozitar dhe jo te fakti se një vendim për rinisje të protestave do të nxiste ndarjen brenda partisë. Sipas Pëllumbit, diversiteti në PS është tipar i saj dhe debati nuk rrezikon stabilitetin e saj. Tjetërkund shfaqen problemet e saj të vërteta, të cilat në krizën e fundit u manifestuan më qartë se asnjëherë tjetër. Kështu improvizimi i lëvizjeve politike, pa studiuar dhe analizuar mirë perspektivën, mundësinë dhe rrugët e realizimit të kërkesave, është bërë përcaktues në dobësinë e aftësisë negociuese të PS, çka u pa mirë pas grevës së urisë. “Diversiteti në PS është i përhershëm, ka qenë dhe mbetet. Në rastin e rikthimit në protesta, ndonëse unë ende nuk e kam dëgjuar zyrtarisht këtë gjë, edhe mund ta rindizte diversitetin dhe ta shtonte atë. Lidershipi i PS tashmë duhet të gjejë forma më krijuese dhe aktive në luftën politike, jo të vijojë luftën pasive. Protestat mund të rinisin në mënyrë të re. PS, si forcë e madhe dhe kryesore e opozitës, duhet t’i studiojë strategjitë dhe format e saj të luftës politike dhe të veprimit politik. Ajo nuk duhet të hedhë hapa spontanë. është domosdoshmëri për të, të ndërtojë strategji të re dhe të studiuar, pa bërë marrëveshje dite dhe vetëm për një darkë ‘krokodili’. Opozita tani duhet t’u rikthehet vetëm strategjive të studiuara, për të synuar fitimin e zgjedhjeve dhe për ta realizuar atë”, përfundoi politikani i njohur socialist.
#