Biznesi ankohet për taksat e larta
Biznesi i vogël nuk po përjeton një situatë të favorshme zhvillimi. Ata gjenden mes dy “zjarreve”, qeverisë dhe bashkisë, të cilat aplikojnë politika takash dhe detyrimesh, që nuk konsiderohen në favor të biznesit të vogël.
Konkretisht, shoqata e tregtarëve të vegjël ankohet për taksat e larta të vendosura si nga qeveria, ashtu edhe nga pushteti lokal, si dhe për mënyrën e pagesës së taksave. “Të gjitha bashkitë, për të mbyllur kusuret e tyre, i drejtohen biznesit të vogël”, tha për TCH, Niko Zherdi, kryetar i Shoqatës së Tregtarëve Bujqësorë. Sipas Zherdit, këto kosto të tregtarëve do të bien në kurriz të konsumatorit.
“Biznesi nuk i përballon dot të gjithë këto shpenzime, ndaj do të rrisë çmimet, do të bien shitjet e konsumatori do të blejë më pak”, u shpreh Zherdi. Sipas tij, shumë nga bizneset e vogla tregtare punësojnë disa pjesëtarë nga e njëjta familje dhe falimentimi i tyre do të thotë heqje e të ardhurave për një familje të tërë. Qeveria planifikon të ulë barrën TVSH për sa i takon kategorisë së tatimpaguesve, nga 5 milionë lekë, në 3 milionë lekë në vit. Për biznesin ky hap do të rrisë kostot administrative, ku konsumatori do të ketë rritje çmimesh. Sakaq, Kryeministri ka deklaruar se do të ndërhyjë në politikat e pushtetit lokal në drejtim të taksave.
Punët nuk shkojnë mirë as me mbledhjen e taksës së biznesit të vogël, që arkëtohet nga pushteti vendor. Për pesë muajt e parë të vitit, realizimi i taksës së biznesit të vogël ishte në nivel realizimi 70 për qind. Nga bashkitë dhe komunat ishin mbledhur 1 miliard e 433 milionë lekë, ose 601 milionë lekë më pak se plani i vendosur si 5-mujor.
#