E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthim në klub, vriten 109 vetë

Njëqindenëntë vetë janë vrarë dhe 134 të tjerë janë plagosur kur, si pasojë e një shpërthimi nga një fishekzjarr, një zjarr i madh është ndezur brenda një klubi nate në Rusi. Në fakt ishte parashikuar një shfaqje pirografie, që ka shkuar me sa duket në mënyrën më të keqe të mundshme, duke u shndërruar në një katastrofë të vërtetë për të gjithë të pranishmit. Bëhet fjalë për një shfaqje në një klub nate në qytetin rus të Permit, në orët e vona të së premtes. Sipas dëshmitarëve, kanë qenë disa shkëndija ato që fillimisht u kanë rënë në sy të pranishmëve. Ato më pas janë shtuar dhe janë shoqëruar nga një tym i zi dhe shpërthime të mëdha. Njerëzit e mbledhur në këtë klub po festonin përvjetorin e tetë të hapjes së tij, me një festë në të cilën ishin parashikuar shumë shfaqje, disa edhe me zjarr. Me përkeqësimin e situatës, ndërsa pjesëmarrësit në festa kanë nxituar për të dalë nga dyert e klubit, nga nxitimi dhe alarmi kanë ngecur brenda dhe një pjesë e madhe e tyre janë djegur. Për sa i përket atyre që kanë mbetur gjallë, një pjesë vazhdojnë që të jetojnë vetëm me frymëmarrje artificiale, pasi kanë pësuar djegie shumë të rënda në mushkri për shkak të dioksidit të karbonit që mbushi gjithë hapësirën e ambienteve të diskos. Gjithashtu ata janë djegur dhe përcëlluar në shkallë të rënda. Disa prej tyre janë dërguar në Moskë. Një nga të mbijetuarit deklaroi se shpejtësia me të cilën shkëndijat u shndërruan në zjarr dhe më pas në flakë ishte aq e madhe, saqë askush nuk kishte mundësi që të dilte me shpejtësi dhe të shpëtonte. Sipas saj, të gjithë janë përfshirë nga paniku i madh dhe kjo ka shtuar rrëmujën dhe njerëzit të bllokoheshin brenda. Presidenti i vendit, Medvedev, ka shpallur një ditë zie kombëtare dhe ka kërkuar dënim të rreptë për pronarët e klubit të natës që kanë injoruar të gjitha paralajmërimet, sipas të cilave do të përbënte rrezik të madh kryerja e aktiviteteve në ambientet e klubit. "Ata nuk kanë pasur as mend, as ndërgjegje", u ka thënë Medvedev ministrave në një takim me qeverinë, të transmetuar edhe në televizion. I vështirë ka qenë edhe identifikimi i viktimave, pasi një pjesë e madhe e tyre kanë qenë të shfytyruar nga plagët dhe djegiet. Një ditë më pas, në vendin e viktimave janë vendosur qirinj dhe lule për t‘i nderuar ato. Zjarri që ra në diskon ruse ka qenë më i rëndi dhe me pasoja më vdekjeprurëse që prej dhjetëvjeçarësh. Ndërsa incidenti më i rëndë i ndodhur në një klub nate ka qenë ai në të cilin humbën jetën 200 persona, në vitin 2004 në Buenos Aires. Zjarri pason një tjetër incident të rëndë, këtë herë pasojë e një akti terrorist, sërish në Rusi. Ai ishte shpërthimi i një treni që po shkonte nga Moska në Shën Peterburg, në të cilin humbën jetën mbi 30 perona. Sipas Presidentit rus, të paktën në rastin e klubit të natës, nuk bëhet fjalë për një akt terrorist. Këtë e ka vërtetuar edhe ministri i Brendshëm, sipas të cilit nuk ka shenja për vendosjen e ndonjë bombe. Moskës i kanë dërguar ngushëllimet e tyre Uashingtoni, Brukseli dhe shtete të tjera të botës. Shkaku i vërtetë i tragjedisë është ai i kushteve të këqija të sigurisë brenda klubit. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për klube, por edhe për institucione si jetimoret, teatrot, kinematë e të tjera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›